Shuhet Arsim Zekolli, zëri i pavarur i diplomacisë dhe analizës politike
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Arsim Zekollit, një prej mendjeve më të spikatura shqiptare në diplomaci, analizë politike dhe debat publik.
Arsim Zekolli ishte historian i artit, ish-gazetar, aktivist humanitar, përkthyes, nëpunës në organizata ndërkombëtare, ish-Ambasador i Maqedonisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë dhe ish-Ambasador i OSBE-së në Turkmenistan. Për dekada me radhë ai la gjurmë në jetën publike me angazhimin, dijen dhe qasjen e tij të veçantë ndaj zhvillimeve politike e shoqërore.
Ai ishte një intelektual i lexuar, me qëndrime të qarta dhe të pavarura. Nuk ngurronte të shprehte mendimin e tij, edhe kur ai binte ndesh me narrativat dominuese apo me qëndrimet e pushtetit. Pikërisht kjo e bëri një zë të veçantë dhe të respektuar në hapësirën publike shqiptare dhe më gjerë.
Duke reaguar për humbjen e tij, ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani kujtoi se, ndonëse Zekolli shpesh e kishte kritikuar publikisht, kjo nuk i kishte penguar të zhvillonin biseda të gjata mbi politikën ndërkombëtare, rajonin dhe gjeopolitikën. Osmani veçoi integritetin e tij personal, duke kujtuar se Arsimi refuzonte edhe një kafe gjatë vizitave në ministri, me arsyetimin se nuk dëshironte t’i mbetej borxh askujt në pushtet, qoftë edhe për një gjest simbolik.
“Thjesht, ishte Arsimi”, shkroi Osmani.
”Arsim Zekolli – një mendje e mprehtë, një kritik i pamëshirshëm i fenomeneve negative, një diplomat dhe njohës i shkëlqyer i gjeopolitikës. Zëri i tij do t’i mungojë debatit publik shqiptar. Prehu në paqe!”, ngushëllon analisti Sefer Selimi.
Nebi Murseli shkruan: Lamtumirë Arsim! Sa lajme te dhimbshme merre njeriu! Arsimi na iku pa u pershendet! Zgjodhi ne agun e mengjesit te pushoje pergjithmone.
Iku pa pire kafete e mengjesit e diskutimet per shumeçka.
Sa pritja kete mengjes te ulemi e komentojme zgjedhjet!
Vdiq ne Kosoven qe e deshte shume! E ngushellova dje per vdekjen e vellait dhe kur me zgjojne thirrjet se paska vdek Arsimi, e une jo I vellai. Ike miko tinezisht, ashtu siç eshte jeta tinezare! Te kemi shume borxh, e te hyrem ne hak si shoqeri! I lehte te qofte dheu I Kosoves”.
Me largimin e Arsim Zekollit, opinioni publik humb një analist të mprehtë, diplomacia humb një profesionist me përvojë të pasur ndërkombëtare, ndërsa miqtë dhe familja humbin një njeri të veçantë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
U prehtë në paqe. Gazeta Flaka
















