Skandal: Bilalli Zendeli: Kompani serbe e lojërave të fatit fiton tenderin për furnizim me insulinë | VIDEO
Zëdhënësja dhe nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka ngritur shqetësime lidhur me pronësinë e kompanisë farmaceutike Phoenix Pharma dhe ndikimin e saj në furnizimin me insulinë në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë publike, Bilalli Zendeli pretendon se pas hyrjes së kapitalit serb në sektorin bankar dhe telekomunikacion, tashmë edhe sektori farmaceutik po kalon nën kontrollin e bizneseve serbe.
„Jo vetëm sistemi bankar, por edhe insulina i jepet në duar botës serbe“, deklaroi Bilalli Zendeli.
Ajo bëri të ditur se më 3 prill 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, me vendimin nr. 08-55, ka miratuar blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, të cilën e lidh me biznesmenin Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart.
Sipas Bilalli Zendelit, vetëm gjatë vitit 2026, Vega Pharmaceuticals ka fituar mbi 50 kontrata publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në klinika të ndryshme, me vlerë prej disa miliona eurosh.
„Vetëm për insulinat rreth 10 milionë euro!“, theksoi ajo.
Bilalli Zendeli vlerëson se ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e furnizimit me ilaçe, veçanërisht me insulinë, të cilën e cilëson si ilaç jetik dhe çështje të sigurisë shëndetësore të shtetit.
„Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit“, deklaroi përfaqësuesja e BDI-së.
Ajo kërkoi sqarime publike se kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë dhe përse Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës e ka miratuar këtë përqendrim të pronësisë.
Bilalli Zendeli ngriti gjithashtu pyetjen nëse vendimi është ndikuar politikisht dhe nëse anëtari i Komisionit, Valon Elezi, i cili sipas saj është pjesë e VLEN-it, ka pasur njohuri për këtë proces.
„Kërkojmë publikimin e plotë të analizës mbi të cilën është miratuar transaksioni dhe të të gjitha kontratave të insulinës për vitet 2025–2027“, kërkoi ajo.
Në fund, Bilalli Zendeli paralajmëroi për pasojat e mundshme që mund të ketë një problem eventual me kompaninë furnizuese në Serbi, duke vënë në pikëpyetje nëse kjo do të rrezikonte furnizimin e vendit me ilaçe dhe insulinë.
„Bankat kanë të bëjnë me paratë tona. Telekomunikacioni me komunikimet tona. Por insulina ka të bëjë me jetën e njerëzve. Me jetën e qytetarëve nuk guxon të luajë askush“, përfundoi Bilalli Zendeli.
Pretendimet dhe shifrat e paraqitura nga përfaqësuesja e BDI-së kërkojnë verifikim nga institucionet përkatëse. Deri në publikimin e sqarimeve zyrtare, ato mbeten qëndrime dhe akuza të saj. Flaka














