Sofja kërkon hetim të plotë pas sulmit ndaj Ambasadës bullgare në Shkup
Policia ka identifikuar dhe arrestuar personin që dyshohet se qëndron pas djegies së dy automjeteve zyrtare të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se menjëherë pas raportimit të incidentit, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore që kanë çuar në zbulimin e autorit të dyshuar.
Sipas MPB-së, bëhet fjalë për I.D. (44) nga Shkupi, i cili është ndaluar në stacion policor. Gjatë hetimeve është gjetur edhe veshja që ai dyshohet se ka pasur të veshur në momentin e kryerjes së veprës. Në koordinim me Prokurorinë po vazhdojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ndaj të dyshuarit pritet të ngrihet kallëzim penal me procedurë urgjente.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në Sofje. Ministria e Jashtme e Bullgarisë e dënoi incidentin, duke e cilësuar si një akt agresioni që rrezikon sigurinë e personelit diplomatik. Autoritetet bullgare kërkuan hetim të shpejtë dhe ndëshkim të autorëve, duke theksuar se do të përdorin të gjitha mekanizmat në dispozicion për të mbrojtur interesat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Edhe Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut dënuan ashpër sulmin, duke theksuar se vendi nuk do të tolerojë veprime që cenojnë sigurinë, marrëdhëniet diplomatike dhe reputacionin ndërkombëtar të shtetit. Institucionet kompetente, sipas tyre, do të veprojnë me vendosmëri për të sanksionuar çdo përpjekje për nxitje të tensioneve dhe urrejtjes.
Ky është incidenti i dytë ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup brenda këtij viti. Në janar, një person theu xhamin e derës hyrëse të misionit diplomatik, ndërsa më vonë u identifikua dhe u arrestua nga autoritetet. Gazeta Flaka
















