Strasburgu mes mbështetjes për zgjerimin dhe kritikave bullgare ndaj Shkupit

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 11:20

Strasburgu mes mbështetjes për zgjerimin dhe kritikave bullgare ndaj Shkupit

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e ka dënuar incidentin e fundit para Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku u dogjën dy automjete diplomatike, duke e cilësuar atë si një akt vandal që nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Duke komentuar rastin që u përmend edhe gjatë debatit në Parlamentin Evropian në Strasburg, Siljanovska-Davkova tha se ngjarja nuk duhet të përdoret për të përkeqësuar raportet mes Shkupit dhe Sofjes.

“Bëhet fjalë për një akt vandal, i cili nuk duhet dhe nuk guxon t’i prishë marrëdhëniet me Bullgarinë”, deklaroi presidentja.

Ajo vlerësoi reagimin e institucioneve vendore, duke theksuar se autoritetet kompetente vepruan shpejt dhe arritën ta zbardhin rastin.

“Institucionet reaguan menjëherë dhe autori tashmë është identifikuar. Kjo tregon se shteti funksionon dhe se raste të tilla nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Presidentja porositi se vendi duhet të mbetet i përqendruar te reformat dhe procesi i integrimit evropian, në vend që debati publik të dominohet nga çështje identitare.

“Maqedonia e Veriut duhet të fokusohet në reformat, sundimin e ligjit dhe integrimin në Bashkimin Evropian, e jo të mbetet e bllokuar në debate identitare”, tha ajo.

Deklarata e saj vjen pasi eurodeputetë bullgarë gjatë debatit për raportin e progresit të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian ngritën sërish çështjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe të drejtave të komunitetit bullgar në vend. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se rasti i djegies së automjeteve diplomatike është zbardhur plotësisht dhe se ndaj një personi 44-vjeçar nga Shkupi është ngritur kallëzim penal, pasi i njëjti e ka pranuar veprën gjatë procedurës hetimore.

Edhe pse në Parlamentin Evropian u dëgjuan mesazhe mbështetëse për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, eurodeputetët bullgarë shfrytëzuan debatin për raportin e progresit të vendit për të rikthyer në fokus mosmarrëveshjet dypalëshe dhe çështjen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

Parlamenti Evropian sot pritet të votojë raportet për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pasi gjatë seancës plenare në Strasburg raportuesit prezantuan draft-rezolutat për vendet aspirante. Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, vlerësoi se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të mbetet një fushë ndikimi e fuqive të huaja, duke kujtuar konfliktet shkatërruese etnike që përfshinë rajonin në vitet ’90. Ai theksoi se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet që shmangën dhunën masive dhe që kanë potencial të jenë ndër liderët e procesit të zgjerimit.

“Duhet të pranojmë se edhe ne si Bashkim Evropian kemi bërë premtime që nuk kemi arritur t’i përmbushim”, deklaroi Vajc, duke shtuar se vendet kandidate po tregojnë gatishmëri për reforma dhe se kjo duhet të shpërblehet me integrim gradual në tregun evropian, në roaming dhe në Zonën Unike Evropiane të Pagesave. Sipas tij, pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia e Veriut mund të jetë vendi i radhës që do t’i bashkohet Unionit. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, bëri thirrje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se BE-ja duhet të korrigjojë gabimet e së kaluarës. “Sa më shumë të ecim përpara me zgjerimin, aq më shumë sulme hibride do të ketë. Nëse nuk arrijmë t’i integrojmë këto vende, të tjerët do t’i përdorin kundër nesh”, paralajmëroi Kos. Megjithatë, debati u dominua nga eurodeputetët bullgarë, të cilët e lidhën perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut me çështjet dypalëshe mes dy vendeve.

Eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçyk kërkoi reagim të ashpër të Parlamentit Evropian pas djegies së veturave diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, duke e cilësuar rastin si sulm ndaj pronës së një shteti sovran anëtar të BE-së. Nga ana tjetër, eurodeputeti Andrej Kovaçev akuzoi Shkupin për “vetëbllokim” dhe vlerësoi se nuk është e pranueshme që përgjegjësia për mungesën e progresit t’i faturohet Bullgarisë. Ai pretendoi se në vend po nxitet gjuhë urrejtjeje ndaj bullgarëve dhe kritikoi përpjekjet për të shmangur obligimet e marra në kuadër të kornizës negociuese me BE-në.

Në debat pati edhe deklarata të ashpra nga eurodeputetë të tjerë bullgarë, të cilët kërkuan mbrojtje më të madhe për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, duke injoruar faktin se autoritetet maqedonase e dënuan menjëherë incidentin me automjetet diplomatike dhe se Prokuroria Themelore Publike në Shkup tashmë ka nisur procedurë kundër të dyshuarit. Debati në Strasburg konfirmoi edhe një herë se, pavarësisht deklaratave për mbështetje ndaj zgjerimit, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian vazhdon të mbetet peng i kontestit me Bullgarinë, ndërsa një zgjidhje e shpejtë e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve ende nuk duket në horizont. Sakaq, SPB Shkup e ka zbardhur plotësisht rastin në lidhje me veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të kryer më 15 qershor kur u dogjën dy automjete diplomatike në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, kumtoi sot shërbimi për shtyp i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Siç informojnë, Departamenti për Punë Kriminalistike – Qendër dhe Bit Pazar dje ngritën padi penale me procedurë urgjente kundër I.D.S.(44) nga Shkupi, për shkak të dyshimit bazë se e ka kryer veprën penale. “Gjatë hetimit u siguruan dëshmi materiale, midis të cilave edhe pamje nga kamerat e mbikëqyrjes nga disa lokacione, si dhe veshëmbathja që i dyshuari mbante veshur në kohën e veprës. Në stacionin policor, i dyshuari e ka pranuar kryerjen e veprës penale”, thonë nga MPB. Gazeta Flaka

21

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 11:20
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
21

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut