Studentët rikthejnë kërkesën për provimet shtetërore në shqip, sfidë për ministrin e ri të Drejtësisë Jeton Shazivari
Përfaqësues të studentëve shqiptarë kanë ridorëzuar kërkesën për organizimin në gjuhën shqipe të Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore, duke e vendosur këtë çështje si një nga sfidat e para për ministrin e ri të Drejtësisë, Jeton Shazivari.
Mevlan Ademi njoftoi se, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Besjan Rexhepi, pas më shumë se dy vitesh e kanë dorëzuar sërish kërkesën pranë institucioneve kompetente.
Sipas Ademit, kësaj radhe kërkesa nuk përfshin vetëm Provimin e Jurisprudencës, por edhe provimet për noter, përmbarues dhe të gjitha provimet shtetërore që, sipas tij, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
“Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet,” theksoi Ademi.
Ai shtoi se institucionet kanë obligim të zbatojnë ligjin, të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të respektojnë të drejtat gjuhësore.
“Gjuha shqipe nuk është privilegj. Është e drejtë e garantuar me ligj dhe një realitet i pamohueshëm i këtij shteti,” u shpreh ai.
Besjan Rexhepi: “Sot, në emër të Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, dorëzova pranë ministrit të ri të Drejtësisë kërkesën për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe.
Shpresojmë që, me marrjen e kësaj përgjegjësie të re, ministri t’i kushtojë kësaj çështjeje vëmendjen e duhur dhe të ndërmarrë këtë herë hapa konkretë drejt zgjidhjes së drejtë të saj.
Që nga fillimi, kërkesa jonë ka qenë e qartë: mundësi të barabarta për të gjithë studentët dhe respektim i plotë i të drejtave gjuhësore.
Kjo nuk është çështje politike. Është çështje e barazisë, e respektimit të ligjit dhe, mbi të gjitha, e të drejtave të studentëve.
Presim që institucionet ta trajtojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë që meriton”.
Ridorëzimi i kërkesës rikthen në vëmendje një çështje që prej vitesh është ngritur nga studentët dhe organizatat shqiptare, të cilët kërkojnë zbatimin e plotë të dispozitave ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha provimet shtetërore.
Të shpresojmë që ministri i ri, kësaj radhe, t’i japë zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje, zgjidhje që nuk u arrit gjatë kohës kur ai ishte anëtar i komisionit. Gazeta Flaka
















