Taravari: Shqiptarët duhet të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre
Aleanca për Shqiptarët ka hapur zyrtarisht procesin e konsolidimit të strukturave partiake në prag të Kongresit të V-të, duke mbajtur Kuvendin Themelues të degës në Bërvenicë. Me mbështetje unanime të delegatëve, në krye të degës u zgjodh ekonomisti Idriz Idrizi.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i ASH-së, Arben Taravari, deputetët Halil Snopçe dhe Sadik Sulejmani, si dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Taravari vlerësoi degën e Bërvenicës si një nga strukturat më të organizuara të partisë, duke theksuar se pikërisht për këtë arsye procesi i riorganizimit ka nisur nga kjo komunë.
“Dega e Bërvenicës ka qenë një ndër degët më kompakte, prandaj jo rastësisht e nisim këtë proces pikërisht nga këtu. Ecim edhe më fuqishëm drejt kongresit partiak”, deklaroi ai.
Duke folur për zhvillimet politike në vend, Taravari u ndal te perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, duke shprehur shqetësim për, siç tha ai, stagnimin dhe regresin e procesit integrues gjatë dy viteve të fundit.
Ai tha se sipas raportit më të fundit të progresit të Bashkimit Evropian, vendi ka humbur ritmin e reformave dhe tashmë renditet pas Bosnjë e Hercegovinës në rrugën drejt integrimit evropian.
Në fjalimin e tij, lideri i ASH-së përsëriti se partia mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe në forcimin e pozitës së tyre në shtet.
“Aleanca për Shqiptarët, shtëpia jonë e përbashkët politike, vazhdon të mbajë dyert e hapura për të gjithë ata shqiptarë që duan të angazhohen për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe që kauzën kombëtare e konsiderojnë prioritet”, theksoi Taravari.
Me nisjen e procesit të ristrukturimit nga Bërvenica, Aleanca për Shqiptarët synon të hyjë në Kongresin e V-të me struktura të konsoliduara dhe me fokus në sfidat politike që e presin partinë në periudhën e ardhshme. Gazeta Flaka












