Temperatura deri në 38°C sot, fundjava sjell vapë ekstreme dhe mundësi për stuhi lokale
Maqedonia e Veriut do të përballet edhe sot me temperatura të larta dhe mot kryesisht me diell, ndërsa në orët e pasdites pritet të ketë kushte për paqëndrueshmëri lokale me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima.
Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), gjatë ditës do të mbizotërojë mot me diell dhe i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 21 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 31 deri në 38 gradë Celsius.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Temperatura e mëngjesit do të jetë rreth 19 gradë, ndërsa gjatë ditës pritet të arrijë deri në 37 gradë Celsius.
DPHM njofton se edhe në ditët në vijim moti do të mbetet kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, ndërsa në orët e pasdites do të ketë kushte për paqëndrueshmëri lokale, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të përforcuar.
Sipas parashikimeve, dita më e nxehtë pritet të jetë e diela, kur temperaturat në të gjithë vendin do të jenë mbi 30 gradë Celsius, ndërsa në disa rajone mund të afrohen me 40 gradë, duke rritur rrezikun nga ekspozimi i zgjatur në diell dhe temperaturat ekstreme.
Flaka
















