Tetovë: Fabrika e kabllove automobilistike pritet të hapë qindra vende pune
Zona Industriale e Tetovës pritet të pasurohet me një investim të ri të huaj, pasi kompania turke “Cavo Otomotiv” ka paralajmëruar nisjen e prodhimit të kabllove për industrinë automobilistike nga fundi i muajit shtator.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, bëri të ditur se investimi prej 20 milionë eurosh do të sjellë rreth 500 vende të reja pune në rajonin e Pollogut.
“Vendimi i kompanisë për të zhvendosur një pjesë të prodhimit nga Turqia dhe Sllovakia në vendin tonë është sinjal i qartë besimi në ekonominë tonë dhe në potencialin e saj zhvillimor”, deklaroi Durmishi.
Ndërkohë, drejtori i Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale, Goce Dimovski, foli për më shumë se 400 vende të reja pune dhe një plan ambicioz eksporti.
“‘Cavo Otomotiv’ planifikon investim prej 20 milionë eurosh dhe punësimin e më shumë se 400 personave. Projekti parashikon eksport vjetor prej 45 milionë eurosh, duke e tejkaluar ndjeshëm vlerën e investimit fillestar”, tha Dimovski.
Sipas tij, bëhet fjalë për prodhim të teknologjisë së lartë në sektorin e kabllove automobilistike, me procese të automatizuara moderne që pritet të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e kuadrove të specializuara në vend.
Autoritetet njoftuan se investitori do të përfitojë mbështetjen e paraparë për investimet e huaja, përfshirë lehtësira fiskale, subvencione për kontributet e punonjësve dhe kushte të favorshme për shfrytëzimin e tokës në zonën industriale.
Ky investim vjen pas dështimit të projektit të kompanisë automobilistike “E-GO” në Tetovë, por institucionet theksojnë se rasti i ri është i garantuar përmes marrëveshjes së nënshkruar mes palëve dhe se pritet të japë një shtysë të re zhvillimit ekonomik të rajonit të Pollogut. Gazeta Flaka













