Urim Saliu: Kur mungon filtrimi, shqiptarët mbeten me drejtues analfabetë
Analisti Urim Saliu ka kritikuar mënyrën se si partitë shqiptare zgjedhin drejtuesit e institucioneve, duke thënë se shpeshherë mungon “filtrimi” dhe në krye vendosen individë të paaftë.
“Pavarësisht qëllimeve politike, ndikimeve të jashtme apo edhe nacionalizmit të shprehur, një gjë duhet theksuar për palën maqedonase: shumica e atyre që marrin funksione të larta ose drejtojnë institucione të rëndësishme i përkasin një brezi të shkolluar,” – shkruan Saliu.
Në anën tjetër, sipas tij, te partitë shqiptare ky standard nuk ekziston.
“Jo rrallë, njerëz pa arsim bazik, madje analfabetë, vendosen në krye të institucioneve. Jo për meritë, jo për dije, por sepse i kanë sjellë vota partisë me premtime boshe e mashtrime ndaj njerëzve të thjeshtë dhe të sinqertë,” – thekson ai.
Saliu shton se ky hendek i madh midis palës maqedonase dhe asaj shqiptare bëhet i dukshëm brenda qeverive të përbashkëta.
“Sa më i paarsimuar të jetë një përfaqësues, aq më i manipulueshëm bëhet. Dhe, rrjedhimisht, aq më i ekspozuar ndaj talljes dhe nënçmimit nga pala tjetër,” – shkruan ai.
Sipas analistit, kjo nuk është vetëm një çështje imazhi politik, por ka pasoja reale për qytetarët.
“Një udhëheqës i dobët nuk mbron interesin e qytetarëve, por kthehet në vegël të lehtë për manipulim,” – përfundon Saliu. Flaka Media
















