Vendim i papritur: Liburn Aliu jep dorëheqje nga kabineti qeveritar i Albin Kurtit
Liburn Aliu ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai ka dorëzuar letrën e dorëheqjes tek Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Të dashur qytetarë, sapo e dorëzova te Kryeministri Kurti letrën e dorëheqjes sime. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pas votimit, e kam njoftuar Kryeministrin për vendimin tim”, ka shkruar Aliu në një postim në rrjetet sociale.
Ai ka argumentuar vendimin e tij duke theksuar se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit nuk përputhet me idealet e tij për shtetin:
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka thënë Aliu.
Zhvillimi vjen në një moment të rëndësishëm politik, duke reflektuar tensionet dhe ndryshimet brenda strukturave qeverisëse të Kosovës, ndërsa vendi përgatitet për sfidat e ardhshme në politikën e brendshme. Flaka Media
















