Vizita e Mickoskit në Shqipëri, tendencioze dhe provokuese
Vizita e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në Pustec të Shqipërisë po shoqërohet me reagime dhe kritika, pas një sërë elementesh që po vlerësohen si tendencioze dhe provokuese, sidomos në raport me simbolikën shtetërore, përfaqësimin e shqiptarëve dhe mesazhet politike të përcjella gjatë ceremonisë.
Mediat bullgare paraprakisht publikuan analiza lidhur me inaugurimin e obeliskut në zonën e Tuminecit, duke paralajmëruar se përdorimi i simbolit të Diellit të Verginës mund të hapë tensione të reja rajonale dhe të interpretohet si shkelje e Prespa Agreement. Në këto analiza u vu në dukje edhe fakti se Mickoski vazhdon të përdorë termin “Maqedoni”, duke shmangur emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Por, përveç debatit ndërkombëtar, vizita ka nxitur reagime edhe për mënyrën e organizimit të aktivitetit në territorin shqiptar.
Një tjetër rast i paprecedentë dhe diskriminues është shënuar gjatë aktivitetit zyrtar të Mickoskit në Pustec, përcjell Gazeta Flaka.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të obeliskut kushtuar pjesëmarrësve në Luftën e Dytë Botërore, është intonuar vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka munguar himni shqiptar, pavarësisht se aktiviteti është zhvilluar në territorin e Albania dhe sipas praktikave protokollare në ngjarje të tilla zakonisht përdoren simbolet shtetërore të të dy vendeve.
Po ashtu, fjalimi i Mickoskit, i mbajtur në gjuhën maqedonase, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe, duke lënë jashtë një pjesë të pjesëmarrësve dhe mediave shqipfolëse.
Mungesa e simbolikës shqiptare është vërejtur edhe në aspektin vizual të organizimit. Përgjatë rrugës hyrëse në fshatin Kallamas dhe në pjesën më të madhe të dekorit ceremonial kanë dominuar flamujt maqedonas, ndërsa flamujt shqiptarë kanë munguar pothuajse tërësisht. Vetëm pranë obeliskut janë parë dy flamuj shqiptarë krahas dhjetëra flamujve maqedonas.
Në të njëjtën kohë, gazetarëve shqiptarë u është komunikuar nga zyra e shtypit e kryeministrit maqedonas se Mickoski nuk ishte i disponueshëm për pyetje nga mediat shqiptare.
Vëmendje ka tërhequr edhe mungesa e një fjale zyrtare nga kryetari aktual i komunës së Pustecit, Pali Kolefski, edhe pse ishte i pranishëm në aktivitet. Ndërkohë, organizatorët i dhanë hapësirë për të folur ish-kryetarit të komunës, Edmond Themelko.
Zhvillimet e fundit kanë hapur debat në opinion mbi karakterin politik të kësaj vizite, e cila nga shumë zëra po cilësohet si një paraqitje me elemente nacionaliste dhe provokuese në territorin shqiptar. Gazeta Flaka
















