VLEN: Bujar Osmani përdori Çairin si shkallë për karrierë, jo për zhvillim
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kandidimit të Bujar Osmanit në Çair, duke e akuzuar atë se për dy dekada ka ndërtuar vetëm karrierë personale, pa sjellë asnjë projekt për qytetarët e kësaj komune.
“Për 20 vite me radhë, Bujar Osmani ndërtonte karrierë politike, por nuk ndërtoi asnjë projekt për Çairin. Sot, ai bën sikur i intereson Çairi,” thonë nga VLEN.
Sipas këtij koalicioni, Osmani ka qenë në pozitat më të larta shtetërore, por qytetarët nuk kanë ndjerë asnjë mbështetje prej tij.
“Për dy dekada, Osmani ka qenë në funksionet më të larta shtetërore, por asnjë qytetar i Çairit nuk ka ndjerë mbështetje apo ndihmë nga ai. Sot shohim vetëm lojëra dhe fjalë boshe. Libër i zbrazët,” thekson VLEN.
Nga kjo parti shtojnë se Osmani nuk është kandidat për Çairin, por vetëm për karrierën e tij politike.
“Bujar Osmani nuk është kandidat i Çairit, ai është kandidat për karrierën e tij. Ai kërkon mbështetje nga Çairi, jo për Çairin, por që të kthehet përsëri në pushtet. Nëse dëshiron të mësojë çfarë është Çairi, le të ecë nëpër rrugët e tij dhe të shohë gjendjen e vërtetë,” thuhet në reagim.
VLEN thekson se qytetarët e Çairit tashmë duan ndryshim real dhe përkushtim.
“Qytetarët e Çairit nuk duan më politikanë me fjalë boshe e karrieristë, por duan përkushtim, punë të vërtetë dhe rezultate konkrete,” deklaron ky koalicion.
Në fund, VLEN akuzon Osmanin se ka përjashtuar edhe rininë e pakët brenda BDI-së, duke e përdorur vetëm për qëllime partiake.
“Jo vetëm që nuk solli projekte për Çairin, por Osmani as nuk shuan dot egon e tij personale. Përjashton edhe atë rini të pakët që ka mbetur në BDI, duke e përdorur si shtizë për flamuj partiakë e jo si potencial për ndryshim. Sot, ajo rini është larguar prej tij dhe është rreshtuar fuqishëm pas Izet Mexhitit dhe VLEN-it, sepse aty gjen vizion, perspektivë dhe respekt,” përfundon reagimi. Flaka Media
















