VLEN drejt unifikimit me një kryesi vetëm me burra – Vlerësim nga Selmani dhe Murati
Procesi i shndërrimit të koalicionit VLEN në një parti të vetme po hyn në fazën finale, por kalkulimet e brendshme kanë nxjerrë në pah një problem të qartë: mungesën totale të grave në kryesinë e ngushtë që pritet të udhëheqë subjektin e ri.
Sipas konfigurimit aktual, pesë pozitat kryesore do të mbahen nga figura të njohura politike: Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti si bashkëkryetarë, Bekim Sali si sekretar i përgjithshëm, ndërsa Bekim Qoku dhe Ilir Demiri si nënkryetarë.
Në këtë formulë pesëanëtarëshe nuk parashihet asnjë grua – një devijim i dukshëm nga praktikat e deritanishme politike, ku pothuajse çdo parti ka pasur së paku një nënkryetare.
Kritika e shoqërisë civile
Aktivistja Nafie Selmani e cilëson këtë zhvillim si vazhdimësi të një modeli të vjetër përjashtues:
“Anashkalimi, injorimi dhe diskriminimi politik ndaj grave në partitë politike shqiptare fatkeqësisht nuk është më përjashtim, është bërë rregull…”
Sipas saj, VLEN-i po lëviz mes një mentaliteti tradicional dhe kërkesave moderne për barazi:
“Në vitin 2026, një kryesi e ngushtë e përbërë ekskluzivisht nga burra, kur barazia gjinore do duhej të ishte standard demokratik.”
Selmani ngre edhe një kontradiktë të brendshme:
“Vetë VLEN-i ka disa gra deputete në Kuvend, bile më shumë gra se burra. Ku është zëri i tyre?”
Ajo shkon më tej duke akuzuar për instrumentalizim:
“Të përdorura për vota, për imazh, për fushatë… por të përjashtuara kur vjen puna te pushteti real.”
Qasje më e nuancuar: cilësia mbi kuotën
Ndryshe, Lulzana Murati sjell një qasje më të balancuar, duke relativizuar mungesën e grave si problem absolut:
“Mungesa e një gruaje në kryesinë e VLEN-it nuk duhet parë si tragjedi në vetvete.”
Ajo thekson se përfaqësimi nuk është vetëm çështje numerike:
“Më e rëndësishme se gjinia është integriteti, përgatitja dhe përkushtimi.”
Megjithatë, Murati pranon ekzistencën e barrierave reale:
““Shpesh burrat ndihen të sfiduar nga gra të forta… kjo mund të krijojë pasiguri te ata që pushtetin e shohin si diçka që duhet ruajtur me çdo kusht”, përfundon Murati.
”Feministe kam qenë në vitin 2002, kur si shumë e re, bashkë me një grup grash themeluam forumin e gruas në BDI. Që atëherë kisha një vizion të qartë: që ky forum, pas disa vitesh, të mos ekzistonte më, sepse barazia mes burrave dhe grave do të ishte arritur. Sot, kur ai forum vazhdon të ekzistojë, nuk mund të mos ndjej një lloj zhgënjimi, sikur misioni të mos jetë përmbushur.
Megjithatë, realiteti politik dhe shoqëror na tregon se përfaqësimi nuk është thjesht çështje pranie, por çështje cilësie. Mungesa e një gruaje në kryesinë e VLEN-it nuk duhet parë si tragjedi në vetvete. Sepse edhe kur një grua është pjesë e një strukture të tillë, nëse ajo nuk e përfaqëson denjësisht rolin dhe nuk kontribuon realisht në përmirësimin e statusit të gruas në shoqëri, atëherë prania e saj mbetet vetëm simbolike. Më e rëndësishme se gjinia është integriteti, përgatitja dhe përkushtimi.
Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë se shpesh burrat ndihen të sfiduar nga gra të forta, nga ato që janë të zonjat, të drejtpërdrejta dhe me energji. Një grua e tillë fiton mbështetje nga masa dhe kjo mund të krijojë pasiguri te ata që pushtetin e shohin si diçka që duhet ruajtur me çdo kusht. Përballja me një figurë të tillë nuk është e lehtë.
Prandaj, edhe në VLEN, pavarësisht sa gra synojnë pozita të larta, atyre duhet t’iu jepet mundësia, por jo thjesht për të qenë aty, por për të sjellë energji të re, guxim dhe një mënyrë tjetër të të bërit politikë. Sepse në fund, kjo nuk është betejë mes burrave dhe grave, por mes atyre që kanë kapacitet dhe vullnet për të përfaqësuar denjësisht dhe atyre që mbeten peng i status quo-së,
Duke rikujtuar përvojën e saj që nga themelimi i forumit të grave në Bashkimi Demokratik për Integrim në vitin 2002, ajo shpreh zhgënjim që barazia ende nuk është arritur.
Një test serioz për VLEN-in
Bashkimi i Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është paralajmëruar prej më shumë se dy vitesh si projekt për konsolidimin e faktorit politik shqiptar.
Por mënyra si po ndërtohet lidershipi i ri po e vendos këtë projekt përballë një testi të drejtpërdrejtë: a do të jetë një strukturë moderne politike apo një ripaketim i modeleve të vjetra të pushtetit?
Në këtë fazë, sinjali është i qartë – pushteti real mbetet i përqendruar te një rreth i ngushtë burrash. Dhe kjo, përtej retorikës politike, flet më shumë se çdo program. Gazeta Flaka
















