VLEN fajin e kërkon te BDI për zhvillimet që ndodhin në qeverisjen e tyre
Përfaqësues të VLEN-it qeveritar kanë drejtuar akuza ndaj BDI-së pas zhvillimeve të fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë, duke e konsideruar partinë opozitare përgjegjëse edhe për proceset që po ndodhin aktualisht në institucionet e shtetit.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, deklaroi se BDI-ja, pasi sipas tij ka dështuar të bllokojë proceset përmes argumenteve politike, tani shpresën e vetme e kërkon te Gjykata Kushtetuese.
“Pasi dështuan t’i bllokojnë proceset me argumente politike, BDI sot shpresën e vetme e ka te Gjykata Kushtetuese. Nuk është rastësi. Për vite me radhë, BDI ishte partia dominuese në pushtet dhe ndikimi i saj është ende i dukshëm në shumë segmente të institucioneve”, ka shkruar Sali.
Ai shtoi se sa herë që humbin betejën politike para qytetarëve, drejtuesit e BDI-së kërkojnë mbështetje te strukturat që, sipas tij, janë trashëgimi e periudhës së qeverisjes së tyre.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili komentoi zhvillimet rreth emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Durmishi tha se Komuna e Tetovës tashmë ka formuar një komision për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrave të rrugëve dhe se emërtimet e reja do të regjistrohen zyrtarisht në Regjistrin Qendror.
“Emrat e rinj do të jenë të plotfuqishëm, të regjistruar në Regjistrin Qendror, e jo fluskë dhe zgjidhje gjysmake siç i kishim deri tani. BDI dhe Gjykata Kushtetuese që ajo e votoi e dinë këtë realitet. Prandaj ky ‘operacion’ sot është tentim për ta zbehur një tjetër zgjidhje që ne po e bëjmë, e ata nuk e kishin bërë për 24 vjet”, deklaroi Durmishi.
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar lidhur me çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në dhe strukturat që, sipas tij, veprojnë në interes të kësaj partie, për përpjekje të vazhdueshme kundër kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
““Gjykata e votuar nga BDI-ja, bashkë me mercenarët e BDI-së, vijojnë aksionin e radhës për ta luftuar Bilall Kasamin, i cili i shkeli 5 herë radhazi në zgjedhje në Tetovë. Rrugët në Tetovë do të kenë emra shqip. As Gjykata e BDI-SDSM, as askush tjetër nuk mund ta ndalë këtë proces. P.S. ja si e ka “zgjidhur” BDI-ja çështjen e emrave në Tetovë. “Dervish Cara” në dokumente për 20 vjet ka figuruar si “JNA”!”, ka përfunduar Azizi.
Deklaratat e funksionarëve të VLEN-it vijnë në një moment kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e aktit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në Tetovë ka nxitur reagime të shumta politike.
Ndërsa opozita shqiptare e sheh këtë zhvillim si goditje ndaj identitetit shqiptar dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit, drejtuesit e VLEN-it argumentojnë se përgjegjësia kryesore bie mbi BDI-në, duke e akuzuar atë për moszgjidhjen e problemeve gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet dhe për ndikim të vazhdueshëm në institucionet shtetërore.
Kështu, edhe në rastin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, VLEN po e drejton gishtin nga BDI, duke e konsideruar partinë opozitare përgjegjëse jo vetëm për të kaluarën, por edhe për zhvillimet që po ndodhin aktualisht në vend. Gazeta Flaka












