VLEN: “Provimi i jurisprudencës po zgjidhet – jemi kundër instrumentalizimit të protestës”
VLEN ka reaguar lidhur me kërkesën për zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo çështje është në proces zgjidhjeje dhe nuk duhet të përdoret politikisht për, siç thotë, instrumentalizim të protestave.
Në deklaratën e tij, VLEN rithekson se e ka mbështetur që në fillim kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim.
“VLEN që nga fillimi e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë kërkesën që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Kjo është një e drejtë që nuk duhej as të diskutohej”, thuhet në reagim.
Koalicioni akuzon ish-pushtetin për mungesë veprimi në këtë çështje.
“Ky problem ka emër dhe mbiemër politik, BDI. Për 22 vjet kishin gjithçka në dorë… por për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk bënë asgjë”, deklaron VLEN.
Në reagim, VLEN përmend edhe disa hapa të mëparshëm institucionalë që, sipas tyre, janë zgjidhur gjatë mandatit të tyre, si licencat për mjekët dhe edukatoret, si dhe ligji për medresantët.
“Ne e kemi dëshmuar se kur ka vullnet, problemet zgjidhen”, thuhet në deklaratë.
VLEN thekson gjithashtu se e respekton protestën e studentëve, por kundërshton përdorimin e saj politik.
“E respektojmë protestën. Por jemi fuqishëm kundër tentimeve për ta instrumentalizuar atë dhe për ta përdorur si mbulesë për dështimin e 22 viteve të mëparshme”, përfundon reagimi. Gazeta Flaka
















