Vuçiq s’arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët
Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.
Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.
Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.
“Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.
Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.
Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…
Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.
Ndryshime në raportimin e transmetuesit publik
Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.
Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.
*Pamje nga protesta e gjatë natës mes 27 dhe 28 janarit që bllokoi për 24 orë njërën prej rrugëve më të rëndësishme kryqëzuese në Beograd.
















