“Xheladin Zeqiri” nga Tetova feston Festat e Nëntorit me shqiptarët në Kroaci
SHKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova ka marrë pjesë në një aktivitet festiv në Kroaci, kushtuar Festave të Nëntorit, në një mbrëmje që është karakterizuar nga atmosfera kombëtare, kënga, vallja dhe promovimi i kulturës shqiptare.
Përmes një njoftimi publik, shoqëria kulturore artistike ka shprehur mirënjohje për shqiptarët e Kroacisë, për mikpritjen dhe respektin e treguar gjatë qëndrimit të tyre.
“Një mbrëmje e veçantë, e mbushur me krenari dhe frymë kombëtare, në mesin e shumë shoqatave shqiptare, Ambasadores së Shqipërisë dhe bashkatdhetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e SHKA-së “Xheladin Zeqiri”.
Nga shoqëria kanë shprehur falënderim të veçantë edhe për Memetali Zenunin, për organizimin e aktivitetit dhe mikpritjen e treguar.
“Falënderim i veçantë edhe për z. Memetali Zenuni, për organizimin e këtij aktiviteti dhe mikpritjen e tij të ngrohtë e vëllazërore”, thuhet më tej në reagim.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet, sipas SHKA-së, ishte një mundësi për të ndarë me bashkatdhetarët emocionet e Festave të Nëntorit përmes këngës, valles dhe traditës kombëtare.
“Ishte kënaqësi dhe nder të ndajmë me bashkatdhetarët tanë emocionet e Festave të Nëntorit, përmes këngës, valles dhe kulturës sonë kombëtare”, përfundon njoftimi i SHKA-së “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Flaka














