Zgjerohet lista e zyrtarëve të VLEN-it që pretendojnë se u ndaluan në Qafë Thanë, ndër ta edhe nënkryetari i Komunës së Dibrës
Zgjerohet lista e zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut që pretendojnë se janë përballur me ndalesë gjatë tentimit për të hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Qafë Thanës.
Pas rastit të bërë publik nga koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, deputeti Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, burime për Flaka bëjnë të ditur se në kufi janë ndaluar edhe nënkryetari i Komunës së Dibrës, Krenar Sllova, një këshilltar komunal i VLEN-it, si dhe drejtori i shkollës në Penestia.
Lidhur me këtë rast ka reaguar publikisht nënkryetari i Komunës së Dibrës, Krenar Sllova, i cili e cilësoi të papranueshme ndalesën dhe theksoi se Shqipëria u përket të gjithë shqiptarëve.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë pronë e Enver Hoxhës dhe nuk është as pronë e Edi Ramës. Në vitin 1991, në moshën tetëvjeçare, hyra në Shqipërinë e pas komunizmit. Edhe në ato ditë të vështira, policët dhe ushtarët na pritën me respekt e mirësi.
Sot, 35 vite më vonë, më ndalohet hyrja në Shqipëri. Qeveritë ndryshojnë, pushtetet kalojnë, por Shqipëria mbetet e shqiptarëve. Shqipëria ishte e imja në kohën e Enver Hoxhës, është e imja edhe sot në kohën e Edi Ramës dhe do të mbetet e imja edhe pasi Edi Rama të mos jetë më në pushtet. Asnjë kryeministër dhe asnjë regjim nuk mund ta bëjë Shqipërinë pronë personale. Ajo u përket të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Sllova.
Më herët, tre zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut pretenduan se u përballën me ndalesë gjatë tentimit për të hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare Qafë Thanë.
Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Hasim Murtezani.
Sipas deklarimeve të tyre, ata tentuan të kalojnë kufirin me pasaporta diplomatike, por u mbajtën në pritje për rreth një orë pa marrë ndonjë sqarim zyrtar.
Ata thanë se më pas një pjesëtar i policisë kufitare u komunikoi se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa personi i katërt që ndodhej në shoqërinë e tyre nuk lejohej të hynte në Shqipëri. Si shenjë revolte, grupi vendosi të kthehej, ndërsa më vonë, sipas tyre, u njoftuan se kishin ndalesë hyrjeje në territorin shqiptar.
Ndërkohë, sipas burimeve jozyrtare të publikuara nga portali TS, kjo masë lidhet me dyshimet se disa prej tyre kanë qenë të përfshirë në organizimin e pjesëmarrjes në protestën e 4 korrikut në Tiranë, të lidhur me lëvizjen e quajtur “Revolucioni Flamingo”.
TS pretendon gjithashtu se autoritetet shqiptare kanë futur në një “listë të zezë” mbi 60 persona, kryesisht funksionarë të VLEN-it. Sipas këtij portali, në mesin e emrave përfshihen deputetët Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë Hasim Murtezani, si dhe disa drejtues policie, këshilltarë komunalë dhe funksionarë të tjerë.
Flaka ka siguruar edhe video ekskluzive nga ngjarja në pikën kufitare Qafë Thanë, ku shihen zyrtarët gjatë qëndrimit të tyre në pritje.
Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar lidhur me pretendimet për ndalim hyrjeje apo për ekzistencën e një liste të zezë me funksionarë nga Maqedonia e Veriut.Gazeta Flaka
















