Zyrtare: Real Madrid mohon interesimin për Enzo Fernández, raportimet cilësohen të pavërteta
Real Madrid ka reaguar zyrtarisht ndaj spekulimeve të shumta që kanë qarkulluar muajt e fundit për një transferim të mundshëm të Enzo Fernández nga Chelsea.
Përmes një deklarate zyrtare, klubi madrilen ka hedhur poshtë të gjitha raportimet, duke theksuar se nuk ka zhvilluar asnjë bisedim apo negociatë për mesfushorin argjentinas dhe se nuk ka ndërmend të ndërmarrë një lëvizje të tillë.
“Nuk kemi bërë asnjë përpjekje, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi, për të transferuar Enzo Fernández dhe nuk kemi asnjë synim për ta realizuar një transferim të tillë”, thuhet në deklaratën e Real Madrid.
Klubi shtoi se respekton maksimalisht si Enzo Fernández, ashtu edhe Chelsean, duke theksuar se për shkak të respektit institucional ndaj klubit londinez, ishte e nevojshme të përgënjeshtroheshin spekulimet që, sipas Real Madridit, janë plotësisht të pavërteta.
Me këtë reagim zyrtar, gjigantët e Spanjës i japin fund zërave që prej muajsh lidhnin Enzo Fernández me një kalim në “Santiago Bernabéu”, duke bërë të qartë se një transferim i tillë nuk është në planet e klubit.
Flaka
















