Zyrtari i VLEN-it, Mustafa Dauti: Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së
Zyrtari i VLEN-it, Mustafa Dauti, ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit nuk i përket asnjë partie politike, por sipas tij është rezultat i sakrificës së një populli të tërë, duke kritikuar mënyrën se si është zbatuar gjatë dy dekadave të fundit.
Ai u shpreh:
“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së. Nuk është tapia e tyre. Është sakrificë e një populli të tërë.”
Dauti akuzoi BDI-në për, siç tha ai, 24 vite dështime në zbatimin e decentralizimit dhe përfaqësimit të drejtë, duke përmendur edhe projektin e rrugës Shkup–Bllacë si shembull të premtimeve të pambajtura ndër vite.
“Për 24 vite, shqiptarët nuk e panë asnjëherë të materializohet decentralizimi… Për 24 vite dëgjuam shumë fjalë e pamë shumë pak punë për rrugën Shkup–Bllacë.”
Sipas tij, në dy vitet e fundit, koalicioni VLEN ka ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha, përfshirë përfaqësimin e drejtë dhe zhvillimin ekonomik.
“Për 24 muaj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat më në fund po bëhet ligj. Po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit.”
Ai përmendi gjithashtu masa në punësim, infrastrukturë dhe arsim, duke thënë se janë siguruar fonde për projekte komunale dhe se janë zhbllokuar disa procese zhvillimore.
Në fund të deklaratës së tij, Dauti theksoi:
“Dielli s’mbulohet me shosh. Ata e përdorën Marrëveshjen e Ohrit për t’i mbushur xhepat, ne ndërtojmë komunat, sjellim ligje dhe japim zgjidhje.” Gazeta Flaka












