Kujdes me vajin e ullirit: Si të ruani shijen dhe vlerat ushqimore
Vaji i ullirit është i njohur për vlerat e tij të pakrahasueshme ushqimore dhe përfitimet shëndetësore, duke qenë një nga vajrat më të këshillueshëm nga ekspertët. Ai përdoret në çdo lloj gatimi dhe përmban vetitë kurative, por mënyra e ruajtjes së tij është kyçe për të ruajtur cilësinë dhe shijen.
Sipas ekspertes Dr. Mine Gyngörmyshler, vaji i ullirit nuk duhet të ruhet në shishe plastike ose xhami të tejdukshme dhe duhet mbajtur larg rrezeve të diellit. “Këto kushte nuk janë aspak të përshtatshme për ruajtjen e vajit të ullirit. Përdorimi i një vaji të tillë, pa datë skadence ose vulë kontrolli, dhe i ekspozuar në diell, nuk është aspak i këshillueshëm. Pa u siguruar për datën e prodhimit dhe kushtet e ruajtjes, mos e blini,” shprehet ajo.
Ekspertja jep disa këshilla praktike për ruajtjen e vajit:
- Ruajeni vajin në shishe xhami me ngjyrë ose porcelani.
- Mbajeni në një vend të errët dhe të thatë, larg dritës, oksigjenit, nxehtësisë dhe lagështisë.
- Kontrolloni gjithmonë datën e prodhimit dhe vulën e kontrollit.
“Drita, oksigjeni, nxehtësia dhe lagështia ndikojnë në humbjen e vlerave të vajit. Për të pasur një vaj të cilësisë së lartë dhe shije të mrekullueshme, ruajeni sipas këtyre udhëzimeve,” përfundon Dr. Gyngörmyshler.
Flaka


















