Mot i paqëndrueshëm me reshje shiu, fundjava sjell stuhi lokale dhe rënie temperaturash
Moti sot në vend do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme të shiut, më të rrëmbyeshme në rajonet juglindore, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Në viset malore reshjet do të jenë të përziera, me shi dhe borë. Do të fryjë erë e matur deri e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të lëvizë nga 4 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 8 deri në 13 gradë.
Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me reshje të kohëpaskohshme shiu, veçanërisht paradite dhe në fund të ditës. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriperëndimi. Temperatura minimale do të zbresë deri në 7 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 12 gradë.
Sipas DPHM-së, nesër pritet mot i ndryshueshëm me reshje të dobëta lokale të shiut. Përgjatë luginës së Vardarit do të fryjë erë e matur deri e përforcuar nga veriu.
Gjatë fundjavës, nën ndikimin e masave ajrore të lagështa dhe jostabile, do të ketë reshje shiu që herë pas here dhe vende-vende do të jenë më të rrëmbyeshme, duke tejkaluar 30 litra për metër katror. Lokalisht priten kushte për mot të lig me reshje intensive, bubullima dhe erë të fuqishme.
Në fillim të javës së ardhshme parashihet rënie e temperaturave, ndërsa reshjet kryesisht do të jenë në formë bore.
Flaka


















