Tensione në VLEN: Përçarje në ASH, Lëvizjen Besa dhe LD, qetë vetëm te Alternativa
Zhvillimet e fundit politike brenda koalicionit VLEN po shoqërohen me tensione dhe lëvizje të brendshme në disa prej partive përbërëse.
Pas përçarjeve në Aleanca për Shqiptarët, të cilat çuan në rreshtime të reja dhe zhvendosje deputetësh, trazira të ngjashme po regjistrohen edhe në Lëvizja Besa.
Brenda Besës, rebelizmi po udhëhiqet nga ministri Fatmir Limani, i cili është distancuar nga lideri i partisë, Bilall Kasami, duke kundërshtuar hapur vendimin e tij për shuarjen e strukturës udhëheqëse në parti. Limani tashmë po vepron në terren, ndërsa disa struktura partiake të Besës janë rreshtuar krah tij.
Lëvizje të ngjashme janë shënuar edhe në Lëvizja Demokratike të udhëhequr nga Izet Mexhiti. Aktivisti Irfan Buçi u distancua publikisht nga kjo parti dhe u rikthye në Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Një veprim të ngjashëm e kishte ndërmarrë më herët edhe ish-kandidati për kryetar komune në Bërvenicë, Haqim Ramadani.
Ndërkohë, edhe Muhamet Ameti prej kohësh është dorëhequr nga Lëvizja Demokratike. Dy të fundit, sipas informacioneve, ditëve të fundit kanë zhvilluar takime me eksponentë të BDI-së, respektivisht me deputetin Blerim Bexheti.
Për momentin, situata paraqitet më e qetë vetëm në Alternativa, e cila mbetet një nga partitë e koalicionit VLEN pa tensione të theksuara publike brenda strukturave të saj.
Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një periudhë riformatimi politik brenda kampit shqiptar në qeveri, me lëvizje që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat e brendshme të koalicionit. Gazeta Flaka















