Italia hap dialogun me Guardiolën për stolin e Kombëtares, Malagò konfirmon interesimin
Italia po shqyrton emra të mëdhenj për postin e trajnerit të Kombëtares, ndërsa emri i Pep Guardiolës vazhdon të jetë një nga alternativat më të përfolura.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, ka konfirmuar se ka pasur një dialog të hapur me trajnerin spanjoll, edhe pse marrëveshja nuk është aspak e sigurt.
“Ka edhe çështje buxheti. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme duhet të bëjmë kujdes, por janë bërë edhe përjashtime që mund të lidhen me një emër që po përmendet shumë fuqishëm, si Guardiola”, deklaroi Malagò.
Ai shtoi se bisedimet nuk garantojnë një marrëveshje, por ishte e rëndësishme që të hapej një komunikim dhe të mbahej gjallë mundësia.
“Jo domosdoshmërisht gjithçka është e kufizuar te Guardiola, Pirlo apo Mancini. Po mendojmë për një profil të caktuar dhe këta emra padyshim bëjnë pjesë në atë kategori”, u shpreh kreu i FIGC-së.
Guardiola, i konsideruar një nga trajnerët më të suksesshëm në botë, do të ishte një zgjedhje spektakolare për pankinën e Italisë, e cila kërkon të rikthehet në majat e futbollit ndërkombëtar pas viteve të vështira.
Flaka
















