Bujar Osmani: Heqja e gjuhës shqipe nga tabelat në vendkalimet kufitare është shkelje e ligjit
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me heqjen e gjuhës shqipe nga tabelat në disa vendkalime kufitare dhe aeroporte, duke theksuar se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime.
Sipas Osmanit, neni 16, paragrafi 2 i ligjit përcakton se në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajone ku të paktën 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, emrat e institucioneve, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit duhet të jenë të vendosur edhe në atë gjuhë.
Ai theksoi se kjo dispozitë vlen për vendkalimet kufitare në Bllacë, Tabanoc, Bellanocë, Dibër, Qafë Thanë, Shën Naum, si dhe për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
“Përdorimi i shqipes aty nuk është vullnet politik, favor apo çështje interpretimi. Është obligim ligjor”, deklaroi Osmani.
Në fund të reagimit, ai u shpreh se heqja e gjuhës shqipe nga tabelat në këto pika përbën shkelje të ligjit.
“Kush e heq shqipen nga tabelat në këto pika, e shkel ligjin”, theksoi Osmani.












