Ahmeti publikoi “Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare”

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Maj, 2024 18:58

Ahmeti publikoi “Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare”

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti publikoi siç tha “Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare” i cili mban firmën e tij dhe liderëve të VLEN-it, respektivisht Taravarit, Gashit, Kasamit dhe Mexhitit. Ahmeti tha se deklarata është firmosur më 4 dhjetor 2023 ndërsa ai vet e ka firmosur më 7 janar të këtij viti. Ahmeti tha se në këtë deklaratë ndër të tjera thuhet:

“Ne partitë politike të nënshkruara më poshtë duke pasur situatën në të cilën ndodhet vendi ndjejmë detyrimin se jemi të vendosur që tani dhe në të ardhmen të bashkëpunojmë dhe bashkëqeverisim vetëm me ato parti politike që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese për integrimin e vendit në BE”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Sikurse në ditën e zgjedhjeve, Ahmeti përsëriti frazën se vendit i duhet stabilitet dhe paqe.

“Lufta psikologjike dhe terrori që ushtrohet po ikën ky po ikën ai, sot iki unë, nesër Ziadini, pasnesër Menduhu, Skenderi, janë lufte psikologjike, terror mbi anëtarësinë, mos u dridhet qerpiku ne nuk jemi lidhur pas gradave dhe ofiqeve. Ne jemi në mision, mision i cili na nderon të gjithë neve të pranishëm dhe ata qindra mijëra njerëz që na mbështesin. Prandaj ky dokument i nënshkruar është i deponuar, ne nënshkruesit e dimë se ku e kemi deponuar, çdo kontestim mbi këtë dokument është i pavërtetë dhe dëshmohet nga të gjithë aleatë dhe miqtë tanë që janë të interesuar që ky vend të ecë përpara, të mos vendnumërojë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti pati edhe një porosi në fund:

“Loja s’ka filluar akoma!”

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Maj, 2024 18:58