Pas reagimit publik, Komunaleci rregullon pozicionin e flamurit shqiptar në Kërçovë

Pas reagimit të këshilltares komunale nga radhët e ASH-së, Syarta Saliju Osmani, dhe pas pasqyrimit të rastit në media, pozicioni i flamurit shqiptar në hapësirat e NP “Komunalec” në Kërçovë është korrigjuar.
Osmani e ka mirëpritur veprimin, por ka kërkuar që ndërmarrja publike të japë edhe një sqarim zyrtar për rrethanat që çuan në vendosjen fillestare të flamurit me kokë poshtë.
“Pas reagimit tim dhe pas pasqyrimit të çështjes në media, pozicioni i flamurit tonë sapo u përmirësua nga Komunaleci. Ky veprim është i mirëpritur, por mbetet e nevojshme një sqarim publik, institucional dhe transparent nga ana e NP ‘Komunalec’ Kërçovë për rrethanat që çuan në këtë situatë”, deklaroi Syarta Saliju Osmani.
Ajo kërkon gjithashtu përgjegjësi për personin që, sipas saj, është përgjegjës për situatën.
“Kërkojmë përgjegjësi adekuate për personin përgjegjës. Qytetarët meritojnë qartësi dhe përgjegjshmëri institucionale”, theksoi Osmani.
Këshilltarja komunale u shpreh se çdo rast që prek simbolet kombëtare do të ngrihet publikisht.
“Asnjë cenim i simboleve tona kombëtare nuk do të kalojë në heshtje. Çdo rast i tillë do të ngrihet publikisht dhe do të kërkojmë përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet përkatëse”, tha ajo.
Në fund, Osmani u zotua se do të vazhdojë të ngrejë çështjet që lidhen me të drejtat dhe identitetin e shqiptarëve në Kërçovë.
“Për çdo çështje që prek dinjitetin, të drejtën dhe identitetin tonë, zëri im do të jetë zëri juaj. Pa kompromis në parime dhe deri në fund”, përfundoi Syarta Saliju Osmani.











