Kryqi i Kuq në Gostivar grumbullon ndihma për familjet në nevojë, Žito Luks dhuron 500 bukë
Organizata Komunale e Kryqit të Kuq në Gostivar ka realizuar një sërë aktivitetesh humanitare në kuadër të shënimit të „Javës kundër urisë“, me qëllim të sigurimit të ndihmave ushqimore dhe mjeteve financiare për familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
Sipas njoftimit të Kryqit të Kuq Gostivar, në këtë iniciativë janë përfshirë disa shkolla fillore dhe të mesme të komunës, përkatësisht SHMKM „Gostivar“, SHMTK „Gostivar“, SHF „Goce Dellçev“, SHF „Bashkimi“ dhe SHF „Ismail Qemali“.
Një aksion humanitar është organizuar edhe para marketit „Montenegro“, ku qytetarët kanë pasur mundësi të kontribuojnë me donacione financiare dhe produkte ushqimore. Në këtë aktivitet është përfshirë edhe vetë marketi „Montenegro“, me një donacion në mbështetje të iniciativës.
Kontribut të veçantë ka dhënë edhe kompania „Žito Luks“ nga Shkupi, e cila ka dhuruar 500 bukë për familjet në rrezik social.
Nga Organizata Komunale e Kryqit të Kuq bëjnë të ditur se me mjetet financiare dhe produktet ushqimore të grumbulluara janë përgatitur pako humanitare, të cilat do t’u shpërndahen familjeve në nevojë.
Përmes këtij aktiviteti, Kryqi i Kuq Gostivar ka falënderuar shkollat, bizneset dhe qytetarët për përfshirjen dhe solidaritetin, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët në mbështetjen e personave dhe familjeve që përballen me mungesë të ushqimit dhe kushte të vështira jetese. Gostivari Sot











