Ndryshimet në Ligjin për Prokurime Publike rikthehen në Kuvend, 2.158 amendamente në shqyrtim
Ndryshimet në Ligjin për Prokurime Publike janë në rend dite të seancës së 129-të plenare të Kuvendit, pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova refuzoi të nënshkruajë dekretin për shpalljen e tyre. Për këto ndryshime janë dorëzuar gjithsej 2.158 amendamente, të cilat deputetët duhet t’i shqyrtojnë sërish në fazën e leximit të tretë.
Shumica parlamentare ka paraqitur një amendament, me të cilin propozon fshirjen e nenit 13, që ishte edhe arsyeja e vetos presidenciale. Pjesa më e madhe e amendamenteve të tjera janë dorëzuar nga opozita, përkatësisht nga LSDM-ja.
Neni kontestues ka të bëjë me mandatet e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurime Publike. Zgjidhja e deritanishme ligjore parashikonte mandat pesëvjeçar, me të drejtë edhe për një rizgjedhje, pra gjithsej deri në dhjetë vjet.
Me ndryshimet e propozuara, kjo formulë ishte zëvendësuar me mundësinë e riemërimit, pa përcaktuar qartë numrin e mandateve. Siljanovska-Davkova vlerësoi se formulimi i ri është juridikisht i pasaktë dhe lë hapësirë për rizgjedhje të pakufizuara. Sipas saj, një zgjidhje e tillë mund të çojë në përqendrim të pushtetit në vendimmarrjen për shpenzimin e mjeteve publike.
Më 4 nëntor, presidentja i dërgoi Kuvendit një shkresë me arsyetimin për refuzimin e nënshkrimit të dekretit, duke iu referuar nenit 75, paragrafit 3 të Kushtetutës.
Sipas Rregullores së Kuvendit, në rastet kur presidenti nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e një ligji, ai rikthehet për shqyrtim në fazën e leximit të tretë. Në këtë procedurë, amendamentet mund të paraqiten vetëm lidhur me vërejtjet e presidentit.
Ligji u miratua në Kuvend më 26 tetor, ndërsa tani rikthehet para deputetëve për rishqyrtim pas vetos presidenciale. Flaka











