Aksident zinxhir me mbi 50 automjete në Bullgari, bllokohet autostrada “Trakia”, shtatë të plagosur
Një aksident i rëndë zinxhir, ku janë përfshirë më shumë se 50 automjete, përfshirë vetura dhe kamionë, ka bllokuar mëngjesin e sotëm autostradën “Trakia” në Bullgari, në afërsi të qytetit të Jambollit. Aksidentet kanë ndodhur në kushte mjegulle të dendur dhe dukshmërie shumë të kufizuar.
Sipas mediave bullgare, përplasja e parë është raportuar pak pas orës 07:00, në kilometrin e 289-të të autostradës, në drejtim të Burgasit. Menjëherë pas saj janë regjistruar edhe disa përplasje të tjera, përfshirë edhe në korsinë e drejtimit të kundërt. Në aksidente janë përfshirë vetura, kamionë dhe autobusë.
Shtatë persona të lënduar janë transportuar në spitalin e Jambollit. Sipas zëvendësdrejtorit të spitalit, ata ndodhen në gjendje të rëndë dhe kanë pësuar lëndime të shumta. Ekipet mjekësore janë mobilizuar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.
Policia deri më tani nuk ka konfirmuar informacione për persona të vdekur. Në vendngjarje po intervenojnë policia, zjarrfikësit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.
Për shkak të aksidenteve, qarkullimi në autostradën “Trakia” është ndërprerë në të dy drejtimet, në segmentin ndërmjet nyjeve rrugore Zimnica dhe Kabile. Gjithashtu është aktivizuar sistemi i paralajmërimit emergjent BG-Alert, përmes të cilit drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të përdorin rrugët alternative.
Trafiku po devijohet përmes Karnobatit, Petolockës, Sllivenit dhe Krushares. Shërbimet kompetente po kryejnë hetimet në vendngjarje dhe po punojnë për largimin e automjeteve dhe hapjen e rrugës. Gazeta Flaka











