15 mijë qytetarë nënshkruajnë peticionin për byzylykë elektronikë për dhunuesit brenda më pak se tri ditësh
Peticioni kërkon vendosjen e pajisjeve elektronike për gjurmimin e autorëve të dhunës në familje, me qëllim mbrojtjen e viktimave dhe alarmimin e institucioneve në rast të shkeljes së urdhrit për ndalim afrimi.
Për më pak se tri ditë, 15.000 qytetarë kanë nënshkruar peticionin për vendosjen e byzylykëve elektronikë për gjurmimin e autorëve të dhunës në familje.
Nisma ka marrë mbështetje të madhe pas një serie rastesh të dhunës ndaj grave dhe vrasjes së fundit të 17-vjeçares Biljana Qiriq nga Bogdanci.
Peticioni parasheh vendosjen e pajisjeve elektronike te dhunuesit, të cilat do të mundësojnë gjurmimin e lëvizjeve të tyre dhe do ta paralajmërojnë viktimën, si dhe institucionet kompetente, në rast se autori afrohet më shumë sesa distanca e përcaktuar me ligj.
Qëllimi i kësaj mase është forcimi i mbrojtjes së viktimave, veçanërisht i atyre që kanë denoncuar dhunën dhe ndaj autorëve të së cilës janë shqiptuar masa për ndalim afrimi.
Rritja e numrit të nënshkrimeve vjen pas disa rasteve të femicidit dhe reagimeve publike për dështimet institucionale në mbrojtjen e viktimave.
Më 8 nëntor, në Shkup u mbajt edhe një marsh protestues kundër femicidit, dhunës institucionale dhe pandëshkueshmërisë. Pjesëmarrësit kërkuan masa konkrete dhe përgjegjësi nga institucionet kompetente.
Iniciativën për peticionin e ka nisur deputetja Monika Zajkova, ndërsa përmes tij kërkohen 10.000 nënshkrime për inicimin e procedurës për mbajtjen e referendumit për vendosjen e sistemit të gjurmimit elektronik të dhunuesve. Gazeta Flaka











