PLD: Heshtja e Qeverisë ndaj fyerjeve të Petar Bogojeskit është miratim i dhunës dhe paligjshmërisë
Sjellja e pahijshme, mizogjinia dhe barbaria e hapur e partnerit të koalicionit qeveritar, Petar Bogojeski, kanë kaluar çdo kufi të normalitetit dhe kanë hyrë në zonën e rrezikimit të drejtpërdrejtë të sigurisë publike dhe të drejtave të njeriut, vlerësojnë nga Partia Liberal-Demokratike (PLD).
“Vetëm pak ditë pas thirrjeve skandaloze për ‘mbikëqyrje mashkullore’ dhe justifikimit të dhunës, i njëjti person del me një valë të turpshme fyerjesh, duke i quajtur gratë dhe aktivistet që protestuan kundër femicidit ‘kurva histerike’, ‘turmë’ dhe ‘llum’. Ndërsa ky eksponent politik shpërndan lirshëm gjuhë të urrejtjes, në të njëjtën kohë publikon me krenari një video ku drejton automjetin në trafik, duke filmuar veten dhe duke shkelur me vetëdije rregullat ligjore të sigurisë rrugore. Në PLD prisnim reagim të menjëhershëm nga Qeveria, por morëm 24 orë heshtje, pra miratim të heshtur”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga PLD pyesin se ku janë tani ministrat dhe ministrat gra të Qeverisë për të thënë një fjalë për partnerin e tyre të koalicionit.
“Ku janë ministrat gra në Qeveri për të reaguar ndaj partnerit të tyre të koalicionit? Ku është ministrja e Arsimit dhe Shkencës – a nuk e prek atë ky dështim institucional dhe moral? A është më i rëndësishëm komoditeti i pushtetit sesa vuajtja e bashkëqytetareve? Ku janë ministri i Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake për ta pezulluar menjëherë këtë person?”, pyet PLD.
Sipas partisë, kjo nuk është liri e shprehjes, por gjuhë e pastër urrejtjeje dhe një hap i drejtpërdrejtë drejt dhunës, e cila, siç theksojnë, nuk duhet të promovohet para studentëve, kadetëve dhe ushtarëve të ardhshëm.
“Ku është ministri i Punëve të Brendshme dhe policia e trafikut për të njoftuar menjëherë se tashmë e kanë gjobitur për drejtim të pakujdesshëm të automjetit dhe filmim gjatë vozitjes?
Si është e mundur që për qytetarët e zakonshëm të funksionojë i gjithë sistemi i kontrollit, duke i regjistruar deri në ‘Safe City’, ndërsa për partnerët e koalicionit qeveritar vlejnë vetëm privilegjet, arroganca dhe paligjshmëria e plotë? A po pret pushteti një viktimë të re të femicidit apo një aksident fatal të shkaktuar nga kjo papërgjegjësi, që më në fund ta disiplinojë partnerin e vet në përputhje me ligjet?”, thuhet në reagim.
Sipas PLD-së, kjo çmenduri e përditshme po nxit gjithnjë e më shumë zemërimin e qytetarëve.
PLD-ja dhe qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga të gjitha institucionet, ndëshkimin e shkeljeve në trafik dhe distancim publik nga këto deklarata të turpshme.
“Sepse heshtja e pushtetit nënkupton vetëm një gjë: miratim të dhunës dhe paligjshmërisë”, përfundojnë nga PLD. Gazeta Flaka











