Bërvenica në sfondin e debatit për zgjedhje, Gashi: VLEN-i do të fitonte më shumë se BDI-ja
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vlerëson se mbajtja e disa cikleve zgjedhore radhazi, në të cilat parlamenti do ta përfundonte mandatin e plotë katërvjeçar, do të kontribuonte në stabilitetin politik të Maqedonisë së Veriut.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Gashi tha se një proces i tillë mund t’i konvenojë koalicionit VLEN, pasi sipas vlerësimeve të tij, nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, ky koalicion do të fitonte më shumë deputetë sesa BDI-ja.
Megjithatë, ai theksoi se interesi i vendit është që institucionet të funksionojnë me mandate të plota dhe zgjedhjet të mbahen në afatet e rregullta.
Deklaratat e Gashit vijnë në një moment kur VLEN përballet me pikëpyetje politike pas rezultatit në zgjedhjet e përsëritura lokale në Bërvenicë, ku kandidati i AKI-së doli fitues përballë kandidatit të koalicionit qeveritar.
Në anën tjetër, liderët e VLEN-it kanë deklaruar se nuk janë të interesuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke argumentuar se vendit aktualisht i nevojiten zgjidhje dhe jo zgjedhje.
Gashi foli edhe për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Prokurimet Publike, për të cilat në Kuvend janë dorëzuar gjithsej 2.158 amendamente.
Ai vlerësoi se partitë politike duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut parlamentar, duke theksuar se Kuvendi është institucioni ku duhet të zhvillohet ky proces.
Ndryshimet ligjore parashohin që gjatë përzgjedhjes së ofertës më të mirë në procedurat e prokurimit publik, përveç çmimit, të merret parasysh edhe cilësia. Gashi mohoi se shumica parlamentare synon t’i imponojë ndryshimet pa debat.
Deklaratat e kryeparlamentarit rikthejnë në vëmendje dilemën brenda skenës politike: interesin e partive për kalkulimet zgjedhore dhe nevojën për stabilitet institucional, në një periudhë kur rezultatet lokale dhe raportet mes koalicionit qeverisës dhe opozitës po ndikojnë në debatet për të ardhmen politike të vendit.











