Jon Selimi: Respektojeni 100% Ligjin për Gjuhët, përndryshe qetësi nuk ka!
Kryetari i studentëve të drejtësisë, Jon Selimi, ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të institucioneve lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Selimi ka kritikuar deklaratat e Bekim Salit dhe Izet Mexhitit, të cilët e kanë paraqitur zhvillimin si realizim të një të drejte për studentët shqiptarë, ndërkohë që ministri i Drejtësisë ende po kërkon mendim nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar.
„Njëri na e uron provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tjetri na thotë se premtimi u bë realitet, ndërsa ministri i Drejtësisë ende po kërkon mendim nga Komisioni i Venecias!“, ka deklaruar Selimi.
Ai ka theksuar se deklaratat festive nuk duhet të krijojnë një perceptim të gabuar në opinionin publik, pasi kërkesa e studentëve nuk është përmbushur nëse nuk garantohet zhvillimi i të gjithë provimit në gjuhën shqipe.
„Të mos e ngatërrojmë opinionin publik me deklarata festive. Nuk është realizuar kërkesa jonë, përderisa nuk garantohet i gjithë provimi në gjuhën shqipe. Një zgjidhje e pjesshme, që sipas qëndrimit tonë bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk mund të shitet si barazi dhe as si realizim i një premtimi“, ka theksuar ai.
Kryetari i studentëve të drejtësisë ka kritikuar edhe dërgimin e modelit në Komisionin e Venecias, duke vlerësuar se një veprim i tillë nuk e bën automatikisht të ligjshme një zgjidhje që, sipas tij, është në kundërshtim me ligjin.
„Një zgjidhje e kundërligjshme nuk bëhet e ligjshme vetëm pse dërgohet në Venecia! Këtë veprim mund ta trajtojmë lirisht edhe si zvarritje të mëtejshme të procesit“, është shprehur Selimi.
Në fund të reagimit, ai ka përsëritur kërkesën për zbatimin e plotë të legjislacionit, duke e përmbyllur me mesazhin:
„O respektojeni Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve 100%, o qetësi nuk ka!“ Gazeta Flaka











