Mitreska: Alta Banka ka stabilitet financiar, administrimi synon të mbrojë depozituesit dhe sistemin bankar
Zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, deklaroi se Alta Banka – Bitola ka gjendje të shëndoshë financiare, kapitalizim të lartë dhe likuiditet, ndërsa vendosja nën administrim është bërë në rrethana specifike, pas revokimit të pëlqimit për aksionarin me pjesëmarrje dominuese.
Duke folur në seancën mbikëqyrëse të Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, kushtuar arsyeve të vendosjes së administrimit në Alta Banka SHA Manastir, Mitreska tha se masa synon të parandalojë panikun eventual dhe të shmangë presionin për tërheqje masive të depozitave, që mund të rrezikonte likuiditetin e bankës.
Sipas saj, administrimi është një nga masat më të përshtatshme të parashikuara me Ligjin për Bankat në rrethana të tilla, pasi synon të krijojë ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së bilancit financiar të bankës dhe mundësisë së klientëve për të disponuar me mjetet e tyre.
„Masa e administrimit vendoset në kushte specifike, kur aksionarit me pjesëmarrje dominuese i është hequr pëlqimi nga rregullatori kompetent, ndërsa nga ana tjetër banka është e shëndoshë, e kapitalizuar dhe likuide“, deklaroi Mitreska.
Ajo sqaroi se Banka Popullore, në bashkëpunim me administratorët, e ndjek vazhdimisht gjendjen dhe përshtat gradualisht shumat e lejuara për tërheqjen e mjeteve.
Sipas Mitreskës, kufiri i tërheqjes është rritur nga 10.000 në 15.000 denarë. Klientët gjithashtu mund të disponojnë plotësisht me hyrjet e reja financiare nga pagat, pensionet dhe ndihma sociale.
Janë siguruar edhe lehtësime për personat juridikë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar paga përmes kësaj banke, duke u mundësuar vazhdimin e pagesave edhe gjatë këtij muaji. Ndërkohë, janë hapur edhe lokacione fizike në ekspoziturat e bankës.
Deputetët kërkuan përgjegjësi për licencimin e Alta Bankës
Gjatë debatit, deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, kërkoi përgjegjësi nga Banka Popullore për pasojat që po i përjetojnë qytetarët pas vendosjes së bankës nën administrim.
Ajo ngriti pikëpyetje nëse para dhënies së pëlqimit për blerjen e aksioneve ishin kontrolluar reputacioni i pronarit, prejardhja e kapitalit dhe informacionet për procedurat e mëparshme rregullatore që lidhen me grupacionin Alta jashtë vendit.
Trençevska gjithashtu ngriti çështjen e rritjes së aktiveve të Alta Bankës në Beograd, duke pretenduar se ato janë rritur 13 herë brenda pesë vjetësh, në një periudhë kur sektori i përgjithshëm bankar në Serbi kishte shënuar rritje prej vetëm dy për qind.
Edhe deputeti Mile Cekov kërkoi informacione konkrete për kontrollet e realizuara nga Banka Popullore, në përputhje me nenin 59, paragrafi 6 të Ligjit për Bankat.
Ai pyeti për verifikimin e pronarit përfundimtar të Alta Bankës Beograd, integritetin dhe reputacionin e tij, prejardhjen e mjeteve financiare, institucionet e konsultuara dhe dokumentacionin me të cilin është vlerësuar rreziku.
Cekov kërkoi gjithashtu sqarime nëse Banka Popullore kishte pasur informacione për shqetësimet e Bankës Qendrore Evropiane lidhur me prejardhjen e kapitalit të grupacionit Alta para dhënies së pëlqimit në shtator të vitit 2025.
Banka Popullore: Janë respektuar të gjitha procedurat ligjore
Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Mitreska deklaroi se procedura e licencimit përfshin disa nivele kontrollesh, duke filluar nga identifikimi i aplikuesit, struktura pronësore dhe pronari përfundimtar, deri te verifikimi i reputacionit dhe prejardhjes së kapitalit.
Ajo tha se janë konsultuar institucionet kompetente, përfshirë gjykatat, regjistrat, drejtoritë, ministritë dhe Drejtoria për Inteligjencë Financiare.
Sipas saj, për të gjithë aplikuesit, pa përjashtim, realizohen edhe kontrolle përmes platformave ndërkombëtare, përmes të cilave mund të sigurohen informacione për transaksione të pazakonta, dënime, ndalesa për ushtrimin e veprimtarisë, falimentime dhe procedura likuidimi.
Mitreska theksoi se Banka Popullore ka zhvilluar komunikim zyrtar me Bankën Qendrore të Serbisë, nga e cila, sipas saj, nuk janë shprehur rezerva për përshtatshmërinë, reputacionin dhe mënyrën e menaxhimit të Alta Bankës Beograd.
Ajo përmendi edhe komunikimin me Bankën Qendrore të Malit të Zi, e cila, sipas informacioneve të prezantuara në seancë, kishte konstatuar se ishin plotësuar kushtet për dhënien e pëlqimit dhe se nuk kishte rreziqe për menaxhimin e sigurt dhe stabil të institucionit financiar në kuadër të grupacionit Alta.
Mitreska sqaron masën e Bankës Qendrore Evropiane
Lidhur me masën e Bankës Qendrore Evropiane për transaksionet që kishin të bënin me blerjen e aksioneve në Adiko Bankë, Mitreska tha se ajo kishte të bënte me blerjen e aksioneve nga Alta Pej dhe një person tjetër juridik, pa njoftuar paraprakisht dhe në kohë se përmes transaksionit tejkalohej pragu për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë.
Sipas saj, pas ndryshimeve në transaksione, masa e pezullimit ishte tërhequr dhe nuk bëhej fjalë për konstatim të papërshtatshmërisë së aksionarit.
Ajo shtoi se gjatë procedurës së licencimit ishte kontrolluar edhe pozicioni financiar i aksionarit potencial, kapaciteti i tij për të mbështetur bankën vendore dhe prejardhja e mjeteve të përdorura për blerjen e aksioneve.
„Ishte kontrolluar edhe prejardhja e mjeteve për blerjen e aksioneve, për të cilat, në bazë të dokumentacionit, ishte konstatuar se vijnë nga veprimtaria e rregullt e bankës“, deklaroi Mitreska, duke shtuar se bilancet ishin konfirmuar nga auditorë të pavarur të jashtëm.
Çfarë ndodh me 95,3 për qind të aksioneve?
Një tjetër çështje e ngritur në seancë ishte statusi juridik i 95,3 për qind të aksioneve në Alta Bankën Bitola, të cilat vazhdojnë të jenë në pronësi të Alta Bankës Beograd, pavarësisht heqjes së pëlqimit për disponimin me to.
Mitreska sqaroi se heqja e pëlqimit nuk nënkupton automatikisht humbjen e pronësisë mbi aksionet, por Ligji për Bankat parasheh procedurë të qartë për shitjen e tyre.
Në këto raste, Banka Popullore i cakton një afat aksionarit, përkatësisht administratorit të falimentimit ose Agjencisë për Sigurimin e Depozitave, për tjetërsimin e aksioneve.
Nëse aksionet nuk shiten brenda afatit të përcaktuar, administratori i falimentimit ka detyrimin t’i japë autorizim Bankës Popullore për të realizuar shitjen.
Sipas Mitreskës, shitja nuk bëhet me vendim arbitrar, por përmes procedurës së rregulluar ligjërisht, me publikim të informacionit dhe ankand në bursë, sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara.
Seanca parlamentare u përqendrua kështu në dy çështje kryesore: bazën ligjore të vendosjes së Alta Bankës Bitola nën administrim dhe kontrollet që i paraprinë lejimit të Alta Bankës Beograd për të marrë pjesëmarrjen dominuese në bankën maqedonase. Gazeta Flaka











