Filipçe publikon dokumentin, Qeveria LSDM-BDI nuk dha pëlqim për shitjen e aksioneve të Alta Bankës – Përgënjeshtrohen Mickoski dhe Azizi
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka publikuar një dokument të Qeverisë së atëhershme, të cilin e paraqet si dëshmi se qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja nuk kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve të Alta Bankës, por kishte kërkuar angazhimin e Avokaturës Shtetërore për mbrojtjen e interesave të shtetit maqedonas.
Filipçe reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me rastin e Alta Bankës, duke e akuzuar atë për manipulim të fakteve dhe përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë.
„Mickoski sot gënjeu brutalisht për Alta Bankën. Gënjeu kur tha se Qeveria e LSDM-së kishte marrë vendim për shitjen e aksioneve të Alta Bankës. I tillë është Mickoski: kur nuk ka argumente dhe përgjigje, gënjen, shtrembëron dhe manipulon të vërtetën për t’i ikur përgjegjësisë. Por e vërteta gjithmonë del në shesh“, deklaroi Filipçe.
Si dëshmi, ai publikoi një dokument të Qeverisë, konkretisht pikën 57, ku përcaktohet angazhimi i Avokaturës Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me aksionet e Alta Bankës SHA Beograd, pronë e Ministrisë së Financave të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë thuhet në dokumentin e publikuar?
Në pikën 57 të dokumentit thuhet se Qeveria e ka shqyrtuar informacionin për nevojën që Avokatura Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si përfaqësuese ligjore e Ministrisë së Financave, ta përfaqësojë atë para institucioneve të Republikës së Serbisë lidhur me tjetërsimin e aksioneve të Alta Bankës SHA Beograd.
Në dokument thuhet:
„Qeveria e shqyrtoi Informacionin lidhur me nevojën që Avokatura Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si përfaqësuese ligjore e Ministrisë së Financave, ta përfaqësojë atë para organeve të Republikës së Serbisë, lidhur me tjetërsimin e aksioneve të Alta Bankës SHA Beograd, pronë e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e miratoi Informacionin dhe e obligoi Avokaturën Shtetërore të ndërmarrë procedurat përkatëse para organeve të Republikës së Serbisë, nëse për këtë ekzistojnë mundësi ligjore, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me tjetërsimin e aksioneve të Alta Bankës SHA Beograd, pronë e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.“
Duke iu referuar këtij dokumenti, Filipçe theksoi se vendimi i Qeverisë nuk kishte të bënte me dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve, por me angazhimin e Avokaturës Shtetërore për mbrojtjen e interesave shtetërore në procedurat përkatëse në Serbi.
„E vërteta është se Qeveria e LSDM-së nuk ka dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve. Qeveria e LSDM-së ka miratuar konkluzion për angazhimin e Avokaturës Shtetërore si organ që mbron interesin shtetëror para institucioneve shtetërore të Serbisë, me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror të Maqedonisë dhe qytetarëve tanë“, deklaroi Filipçe.
Ai akuzoi pushtetin aktual të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskin se kanë lejuar hyrjen e një personi me precedentë kriminalë në sistemin bankar dhe se qytetarët kanë mbetur pa qasje të lirë në mjetet e tyre financiare.
Filipçe kërkoi që Prokuroria të veprojë menjëherë dhe të hetojë, siç tha, atë që fshihet pas deklaratave të Mickoskit për Alta Bankën.
„E gjithë përgjegjësia është tek ai“, përfundoi kryetari i LSDM-së.
Dokumenti i publikuar dëshmon se Qeveria e atëhershme kishte miratuar angazhimin e Avokaturës Shtetërore për mbrojtjen e interesave të Ministrisë së Financave në Serbi. Megjithatë, formulimi i pikës 57 nuk përbën vendim të drejtpërdrejtë për shitjen e aksioneve, por as nuk sqaron vetvetiu të gjitha veprimet e ndërmarra në vijim lidhur me to.
Çka tha Mickoski:
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën me “Alta Bank” SHA Manastir dhe se nuk do ta injorojë problemin. Ai tha se synimi është të shpëtohen fillimisht vendet e punës në bankë dhe më pas të mbrohen edhe interesat e kreditorëve, përcjell TV21. Mickoski i bëri këto komente gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend për rastin e Alta Bankës, duke theksuar se banka është likuide dhe se Banka Popullore ka reaguar me kohë.
“Mbetem në qëndrimin se kjo bankë është absolutisht likuide, se sistemi ynë ka mekanizma për ta ruajtur stabilitetin dhe se mekanizmat që ka në dispozicion Banka Popullore kanë ndërhyrë në kohë. Sipas të gjithë ekspertëve me të cilët jam konsultuar, është vepruar në kohë dhe sipas rregullave, me qëllim shpëtimin e këtij institucioni financiar”, tha Mickoski.
Kryeministri tha se masat e ndërmarra dhe ato që pritet të pasojnë synojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të shtetit. Ai u shpreh se banka nuk do të falimentojë sikurse Eurostandard Bank në kohën e qeverisjes së LSDM-së.
“Në fund do të arrijmë te një zgjidhje dhe kjo bankë nuk do të falimentojë siç ndodhi me Eurostandardin, e cila falimentoi pasi disa ditë më parë një ministër i Financave në qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së kishte tërhequr depozitën e tij. Kjo është diçka skandaloze”, deklaroi Mickoski.
Ai mohoi se ka vepruar në ndonjë cilësi për të mundësuar hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë seancës, Mickoski publikoi edhe një vendim të qeverisë së LSDM-së, në kohën kur kryeministër ishte Dimitar Kovaçevski, me të cilin ishte kërkuar vendosja e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën. Ai theksoi se në atë qeveri kishin qenë ministra edhe gjysma e deputetëve që sot janë pjesë e grupit parlamentar të LSDM-së.
Mickoski prezantoi një vendim zyrtar të publikuar në “Gazetën Zyrtare” numër 123 të vitit 2023, me të cilin qeveria e atëhershme kishte dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve në Stopanska Banka SHA Manastir, e cila sot është Alta Banka.
“Teza ime është se në vitin 2023, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së kishte marrë vendim që ta obligojë Avokaturën Shtetërore të hyjë në komunikim me të njëjtin person, Davor Macura, dhe me Alta Bankën në Serbi, si dhe të vendosë marrëdhënie afariste me të. Qeveria juaj, zoti Venko Filipçe, së bashku me BDI-në, me propozim të ministrit të BDI-së, Fatmir Besimi, e kishte udhëzuar Avokaturën Shtetërore të vendosë marrëdhënie afariste me Davor Macurën, pronarin e Alta Bankës në Serbi, dhe të tjetërsojë aksionet në pronësi të Maqedonisë. Pra, shumë kohë para se Alta Banka të vinte në Maqedoni, ju si qeveri kishit vendosur marrëdhënie afariste me këtë person”, tha Mickoski.
Ai pyeti nëse në vitin 2023 nuk kishte kapital rus apo para kriminale, duke iu përgjigjur kështu akuzave të opozitës se qeveria aktuale kishte lejuar hyrjen e kapitalit të tillë në vend.
“Kjo është kundërteza ime ndaj pretendimit tuaj se ne e kemi lejuar këtë. Në fakt, ju shumë më herët keni ditur për këtë person dhe kapitalin e tij dhe e keni futur shtetin në marrëdhënie afariste me të”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve Venko Filipçe dhe Bojan Stojanovski.
Çka deklaroi Adnan Azizi nga VLEN:
BDI dhe Ali Ahmeti fatkeqësisht nuk ishin prezent në debatin publik për tu sqaruar se si hyri Alta Banka në Maqedoninë e Veriut.
Unë e di se ua ka mbuluar sytë korrupsioni, por nuk besoj se kanë rënë në atë nivel të shiten te Vuçiqi.
Por këtë duhet ta sqarojnë vetë ata, sepse heshtja e tyre mund lë dyshime për shumë shqiptarë, e besa edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Gazeta Flaka











