Dhjetë shoferë arrestohen brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut, shtatë prej tyre pa patentë shoferi
Dhjetë persona janë privuar nga liria në lokacione të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Shtatë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjete pa dhënë provimin për patentë shoferi. Në mesin e tyre janë edhe dy të mitur: një 17-vjeçar nga Shkupi dhe një 16-vjeçar nga Negotina.
Sipas MPB-së, pa patentë shoferi janë kapur edhe R.Џ. (27) nga Krushopeku i Shkupit, A.M. (32) nga Çashka, B.M. (45) nga Berova, M.K. (20) nga fshati Drasllajcë i Strugës dhe B.S. (39) nga fshati Obrshani, komuna e Krivogashtanit.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë arrestuar pasi kanë drejtuar automjete pavarësisht se kishin ndalesë aktive për drejtim. Bëhet fjalë për J.B. (23) nga fshati Tremnik i Negotinës dhe Z.J. (55) nga Shkupi.
Policia ka privuar nga liria edhe A.C. (55) nga Prilepi, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
Ministria apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë kohës kur kanë ndalesë për drejtim. Flaka











