Eurostat: Mali i Zi prin në rajon për shkallën e vrasjeve, pas tij Bullgaria dhe RMV-ja
Shkalla e vrasjeve të regjistruara nga policia në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024 ka qenë 1.10 raste për 100 mijë banorë, duke shënuar rënie krahasuar me vitin 2014, kur ky tregues ishte 1.21.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se gjatë dekadës së fundit është vërejtur ulje e këtij treguesi në vend.
Në krahasim me shtetet e rajonit, shkallën më të lartë të vrasjeve gjatë vitit 2024 e ka pasur Mali i Zi, me 1.92 raste për 100 mijë banorë. Pas tij renditet Bullgaria me 1.23, ndërsa Maqedonia e Veriut me 1.10 raste.
Serbia ka regjistruar 0.82 vrasje për 100 mijë banorë, ndërsa Greqia 0.78.
Në Bashkimin Evropian, shkalla më e lartë është regjistruar në Lituani, me 2.63 vrasje për 100 mijë banorë. Në vendin e dytë renditet Letonia me 2.40, ndërsa në të tretin Estonia me 1.82 raste.
Në anën tjetër, Luksemburgu ka shkallën më të ulët në BE, me 0.30 vrasje për 100 mijë banorë. Pas tij vijnë Italia me 0.57 dhe Çekia me 0.63.
Eurostat vëren se Lituania, ndonëse ka shkallën më të lartë në Bashkimin Evropian, ka shënuar një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin 2014, kur ky tregues ishte më shumë se dyfish më i lartë.
Statistikat i referohen numrit të vrasjeve të qëllimshme të regjistruara nga policia në raport me numrin e banorëve. Eurostat thekson se krahasimet ndërmjet shteteve duhet të interpretohen me kujdes, pasi dallimet në legjislacion, mënyrën e evidentimit policor dhe raportimin e veprave penale mund të ndikojnë në rezultatet statistikore. Gazeta Flaka











