Rusia sulmon Kievin me raketa balistike, pak orë pas përfundimit të negociatave të paqes
Rusia ka sulmuar mbrëmjen e kaluar kryeqytetin ukrainas, Kievin, me raketa balistike. Sulmi ndodhi vetëm pak orë pas përfundimit të ditës së dytë të negociatave të paqes në Abu Dabi, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton “Kyiv Independent”.
Shpërthime në kryeqytetin ukrainas
Sipas informacioneve nga terreni, rreth orës 01:00 pas mesnate, në Kiev u dëgjuan shpërthime, vetëm pak minuta pasi Forcat Ajrore të Ukrainës lëshuan alarmin për afrimin e raketave balistike ruse.
Më pak se 30 minuta më vonë, një tjetër seri shpërthimesh të fuqishme u dëgjua në pjesën veriperëndimore të qytetit.
Sulmet ndaj kryeqytetit kanë vazhduar, ndërsa deri më tani nuk janë publikuar detaje të plota për objektivat e goditura dhe pasojat e sulmeve.
Negociatat për paqe pa përparim të rëndësishëm
Negociatat e paqes në Abu Dabi përfunduan pa ndonjë përparim të rëndësishëm. Megjithëse pala ukrainase shpresonte se takimi do ta nxiste Rusinë drejt uljes së tensioneve, marrëveshja e vetme konkrete e arritur ishte ajo për një shkëmbim të ri të të burgosurve.
Që nga fillimi i sezonit të ngrohjes, forcat ruse kanë vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe të transportit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës.
Raportimi bazohet në informacionet e publikuara nga “Kyiv Independent”. Flaka











