Irani kërcënon me sulme ndaj bazave amerikane edhe në Evropë
Zyrtari i lartë iranian i sigurisë, Mohsen Rezai, ka kërcënuar se Teherani do të sulmojë bazat ushtarake amerikane edhe jashtë Lindjes së Mesme, përfshirë ato në Evropë, nëse ato përdoren për bombardimin e Iranit, raporton AFP.
“ Nëse avionët amerikanë ngrihen nga ndonjë bazë ushtarake amerikane, edhe nëse ajo ndodhet në një vend evropian apo në ndonjë rajon tjetër të largët, për të bombarduar Iranin, ne do t’i sulmojmë edhe ato baza”, deklaroi Rezai në një intervistë për televizionin libanez “Al Mayadeen”, të transmetuar të mërkurën.
Ai theksoi se çdo sulm i ri i mundshëm amerikan ndaj Iranit do të pasohej me kundërpërgjigje që do të përfshinte edhe objekte ushtarake amerikane më të largëta, përfshirë ato që deri më tani nuk kanë qenë objektiv i sulmeve iraniane.
Rezai nuk specifikoi se cilat baza mund të shënjestrohen, por paralajmëroi se Irani mund të sulmojë edhe ishuj të caktuar, të cilët, sipas tij, amerikanët i konsiderojnë jashtë rrezes së raketave iraniane.
Deklaratat u bënë gjatë intervistës së zhvilluar në Teheran dhe vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Flaka











