Partia e Orbán distancohet nga paratë e sekuestruara – Mbi 5 miliardë forinta, miliona euro dhe dollarë të fshehura në pyje e ndërtesa
Partia Fides e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán ka reaguar pas publikimit të fotografive të sasive të mëdha të parave të gatshme të zbuluara gjatë aksioneve hetimore në Hungari, duke mohuar çdo lidhje mes tyre dhe ish-ministrit të Zhvillimit Kombëtar dhe deputetit, Miklós Seszták.
Reagimi vjen pasi Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë publikoi video dhe fotografi nga aksionet e koordinuara hetimore, të zhvilluara më 12 dhe 13 nëntor në disa lokacione të Hungarisë.
Gjatë kontrolleve u zbuluan sasi të mëdha parash të gatshme, të fshehura në pyje, objekte bujqësore, depo dhe ndërtesa banimi.
„Fidesz – Unioni Qytetar Hungarez është i bindur se fotografitë e publikuara nga Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë nuk kanë asnjë lidhje me Miklós Seszták”, thuhet në komunikatën e partisë.
Nga Fidesz theksojnë se që nga ndryshimi i sistemit politik, çdo përfaqësues i zgjedhur në Hungari është betuar se do t’i respektojë dhe zbatojë ligjet.
„Fidesz-KDNP nuk mund të jetë pjesë e një komuniteti me askënd që nuk i përmbahet këtij parimi”, thuhet në reagimin e partisë.
Sekuestrohen mbi pesë miliardë forinta, miliona euro dhe dollarë
Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë njoftoi se aksionet hetimore janë zhvilluar në Budapest dhe në qarqet Pest, Békés dhe Nógrád, në kuadër të një procedure penale kundër ish-ministrit Miklós Seszták.
Gjatë kontrolleve janë zbuluar gjithsej:
- 5.071.632.000 forinta hungareze
- 2.658.350 euro
- 1.257.100 dollarë amerikanë
Një pjesë e parave ishte groposur në pyje, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në objekte bujqësore, depo dhe ndërtesa banimi. Para të gatshme janë zbuluar edhe në një kasafortë në një lokacion të izoluar.
Sipas të dhënave paraprake të prokurorisë, ekzistojnë dyshime se Seszták, gjatë ushtrimit të funksionit të lartë publik, ka marrë ryshfet dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare në kuadër të një veprimtarie të organizuar kriminale.
Po ashtu, po hetohen dyshimet për marrje ryshfeti si bashkëpjesëmarrës në një vepër penale.
Paratë dhe provat e tjera të sekuestruara gjatë hetimeve mund të forcojnë më tej pozicionin e prokurorisë në procedurën që lidhet me dyshimet për korrupsion.
Ndërkohë, Fidesz ka zgjedhur të distancohet publikisht nga fotografitë e publikuara dhe nga çdo lidhje e mundshme e tyre me ish-ministrin Seszták. Hetimet për rastin vazhdojnë. Gazeta Flaka











