Klekovski: Nevojitet forcim i kujdesit afatgjatë dhe paliativ në Maqedoninë e Veriut
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka theksuar nevojën për forcimin e sistemit të kujdesit afatgjatë dhe paliativ në Maqedoninë e Veriut, duke vënë në dukje se plakja e popullsisë dhe shtimi i personave që jetojnë me sëmundje kronike po rrisin kërkesën për shërbime të tilla shëndetësore.
Këtë mesazh Klekovski e përcolli në Konferencën e Dytë Vjetore Shkencore për Mjekësinë Geriatrike dhe Paliative, ku foli për sfidat dhe nevojën për zhvillimin e kësaj fushe.
Ministri iu referua edhe një analize të vitit 2019, sipas së cilës vetëm rreth 10 për qind e pacientëve me sëmundje onkologjike kishin marrë kujdes paliativ.
Ai rikujtoi se kujdesi afatgjatë është një nga pesë prioritetet e Strategjisë për Shëndetësi 2021–2030, por theksoi se zbatimi i masave konkrete duhet të intensifikohet.
“Është koha për ndryshim. Është koha për veprim”, deklaroi Klekovski.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë po punon për vendosjen e disa modeleve të kujdesit afatgjatë, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për investime dhe zhvillim në mjekësinë geriatrike dhe paliative.
Qëllimi është që pacientët me sëmundje kronike dhe të rënda, si dhe personat e moshuar, të kenë qasje në kujdes më të përshtatshëm dhe të vazhdueshëm, në përputhje me nevojat e tyre.
Konferenca organizohet nga Spitali Special për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori” në Shkup.
Me këtë rast, Klekovski përgëzoi organizatorët dhe veçanërisht prim. dr. Lençe Neloskën për angazhimin në zhvillimin e kësaj fushe të mjekësisë. Flaka











