Tensione në Azi: Japonia dhe Koreja e Jugut ngritin avionët luftarakë pas lëvizjeve të aeroplanëve rusë
Lëvizjet e aeroplanëve ushtarakë rusë kanë rritur tensionet në rajonin e Azisë Lindore, pasi Japonia dhe Koreja e Jugut ngritën njëkohësisht avionët e tyre luftarakë për të monitoruar situatën. Tokio njoftoi se dy aeroplanë, për të cilët dyshohet se janë rusë, kanë shkelur hapësirën ajrore japoneze, ndërsa Moskës i ka dorëzuar një protestë të ashpër diplomatike, raporton AFP.
Sipas Ministrisë japoneze të Mbrojtjes, aeroplanët kanë hyrë në hapësirën ajrore në veriperëndim të ishullit Okinoshima, pranë Fukuokës. I pari është evidentuar rreth orës 04:07 sipas kohës lokale dhe ka qëndruar për tre minuta. Aeroplani i dytë ka hyrë dy minuta më vonë dhe gjithashtu është larguar pas rreth tre minutash.
Forcat Ajrore Japoneze menjëherë kanë ngritur avionë luftarakë për t’i paralajmëruar aeroplanët.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, e cilësoi incidentin si kërcënim serioz ndaj sovranitetit dhe sigurisë së vendit. Ai bëri të ditur se përmes kanaleve diplomatike Rusisë i është dorëzuar protestë e ashpër, me kërkesën që incidente të tilla të mos përsëriten.
Në të njëjtën ditë, edhe Koreja e Jugut ngriti avionët luftarakë pasi disa aeroplanë ushtarakë rusë hynë në Zonën Koreane të Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, të njohur si KADIZ.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, aeroplanët rusë u vërejtën mbi Detin Lindor përpara se të hynin në zonën e identifikimit. Forcat ajrore jugkoreane dërguan avionë luftarakë për të ndjekur lëvizjet e tyre.
Aeroplanët rusë më pas u larguan nga zona pa hyrë në hapësirën ajrore sovrane të Koresë së Jugut. Zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore shërben për zbulimin dhe monitorimin e hershëm të aeroplanëve të huaj, ndërsa hyrja në të nuk përbën automatikisht shkelje të hapësirës ajrore shtetërore.
Një incident i ngjashëm mes Japonisë dhe Rusisë ishte regjistruar edhe në shtator të vitit 2024, kur Tokio protestoi pas tri hyrjeve të një aeroplani ushtarak rus të patrullimit në hapësirën ajrore japoneze.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar më tej pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Japonia dhe Rusia kanë gjithashtu një mosmarrëveshje të gjatë territoriale për Ishujt Kurile, të cilët Bashkimi Sovjetik i mori nën kontroll në vitin 1945. Flaka














