Athina nën masa të rrepta sigurie, 5.000 policë në terren për 53-vjetorin e kryengritjes studentore
Qendra e Athinës është blinduar sot nga forcat e sigurisë, ndërsa Greqia shënon 53-vjetorin e kryengritjes së përgjakshme studentore kundër juntës ushtarake, më 17 nëntor 1973.
Manifestimet treditore, që simbolizojnë rezistencën, demokracinë dhe të drejtat qytetare, kulmojnë sot me marshimin tradicional të mijëra qytetarëve. Protestuesit do të nisen nga Fakulteti Politeknik i Athinës, vendi ku shpërtheu kryengritja historike, drejt ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Për mbarëvajtjen e tubimeve dhe ruajtjen e rendit publik janë angazhuar mbi 5.000 policë. Situata po monitorohet edhe nga ajri përmes helikopterëve policorë dhe dronëve.
Për shkak të protestave, në të cilat kanë bërë thirrje shoqatat studentore, sindikatat dhe përfaqësues të partive opozitare, janë mbyllur bulevardet kryesore dhe tri stacione të metrosë në qendër të kryeqytetit grek.
Kryengritja studentore e 17 nëntorit 1973 u zhvillua nën sloganin historik “Bukë, Arsim, Liri”, i cili edhe sot mbetet simbol i rezistencës kundër diktaturës dhe kërkesës për demokraci. Përvjetori shënohet çdo vit me marshime dhe aktivitete përkujtimore në Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë.
Flaka














