Ali Ahmeti merr pjesë në hapjen e ekspozitës “Arti i largësisë” të Dita Starova Qerimit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë mbrëmë në hapjen e ekspozitës personale të artistes Dita Starova Qerimi, me titullin “Arti i largësisë”.
Ahmeti ishte i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, nënkryetari Bujar Osmani, Faton Ahmeti dhe funksionarë të tjerë partiakë.
Përmes një reagimi publik, Ahmeti ka shprehur vlerësimin e tij për ekspozitën dhe rëndësinë e artit në jetën kulturore.
“Mbrëmë pata kënaqësinë të marr pjesë në hapjen e ekspozitës personale të artistes Dita Starova Qerimi, me titullin ‘Arti i largësisë’”, ka shkruar Ahmeti.
Ai theksoi se arti është një gjuhë universale që kapërcen kufijtë dhe afron njerëzit, duke përcjellë emocione dhe mesazhe që shpesh nuk mund të shprehen me fjalë.
“Përmes ngjyrave, formave dhe frymëzimit krijues, artistët ndërtojnë botë të veçanta, pasurojnë jetën shpirtërore dhe i japin vlerë kulturës sonë”, ka theksuar Ahmeti.
Në fund, ai ka përgëzuar artisten Dita Starova Qerimi për ekspozitën dhe kontributin e saj në artin dhe kulturën, duke i uruar suksese të mëtejshme dhe frymëzim në rrugëtimin artistik. Flaka














