Ahmeti kërkon marrëveshje kombëtare për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut
Audio Lajm
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi rëndësinë e dialogut politik, barazisë dhe marrëdhënieve ndëretnike, duke vlerësuar se përparimi i vendit kërkon një marrëveshje të përbashkët për çështjet strategjike.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mori pjesë sonte në Shkup në panelin e diskutimit të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”.
Pas panelit, Ahmeti theksoi se e ardhmja e vendit kërkon dialog politik, përgjegjësi dhe një marrëveshje të përbashkët për çështjet që përcaktojnë zhvillimin e shtetit.
“E ardhmja e vendit kërkon dialog, përgjegjësi dhe një marrëveshje të përbashkët për çështjet që përcaktojnë zhvillimin e tij”, deklaroi Ahmeti.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet ndëretnike, funksionimi demokratik i institucioneve, barazia dhe integrimi evropian duhet të trajtohen si interesa afatgjata shtetërore dhe jo si çështje që lidhen vetëm me një parti politike apo një mandat qeverisës.
“Marrëdhëniet ndëretnike, funksionimi demokratik i institucioneve, barazia dhe integrimi evropian nuk janë çështje të një partie apo të një mandati, por interesa afatgjata të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve”, u shpreh kreu i BDI-së.
Sipas Ahmetit, përparimi i Maqedonisë së Veriut kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim ndërmjet faktorëve politikë.
“Besoj se përparimi kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për të ndërtuar ura bashkëpunimi, duke vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet politike”, theksoi Ahmeti.
Paneli u përqendrua në çështjet që lidhen me të ardhmen e shtetit, marrëdhëniet ndëretnike, konsolidimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Flaka Media














