CNN: Irani dyshohet se po planifikon sulme me “bombë të pistë” në Uashington, në shënjestër zyrtarë të administratës Trump
Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë siguruar informacione të reja që sugjerojnë se Irani po shqyrton plane për sulme ndaj zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, përmes përdorimit të një të ashtuquajture “bombë të pistë” ose armëve kimike në Uashington.
Këtë e raporton CNN, duke iu referuar shtatë zyrtarëve amerikanë, të cilët janë në dijeni të informacioneve të fundit të inteligjencës.
Sipas burimeve, planet iraniane për momentin paraqiten si mundësi të mundshme veprimi dhe jo si dëshmi se një sulm është i afërt. Megjithatë, dy prej burimeve kanë deklaruar se informacionet e siguruara përmbajnë lokacione dhe objektiva konkrete, çka ka nxitur autoritetet amerikane të ndërmarrin masa përgatitore.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi se administrata po monitoron çdo kërcënim të mundshëm, por theksoi se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.
Sipas zyrtarëve amerikanë, informacionet tregojnë se Teherani po shqyrton mundësinë e zgjerimit të konfliktit edhe në territorin e SHBA-së, në një kohë kur Irani po përballet me sulme të vazhdueshme ushtarake amerikane dhe presion të madh ekonomik.
Megjithatë, nuk ka prova se autoritetet iraniane kanë marrë vendim për realizimin e ndonjë sulmi.
“Se a i kanë realisht personat e nevojshëm në terren për ta kryer sulmin, mbetet çështje debati”, ka deklaruar një nga burimet për CNN.
SHBA shqyrton masat për parandalimin e kërcënimit
Sipas dy zyrtarëve, gjatë javës së kaluar janë mbajtur disa takime në administratën amerikane, ku është diskutuar mënyra e parandalimit të kërcënimeve të mundshme.
Ndërkohë, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, Shërbimi Sekret amerikan ka zhvendosur javën e kaluar sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në një objekt banimi ushtarak.
Sipas raportimit, kërcënimet iraniane ndaj zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë nuk janë të reja. Ato kanë ekzistuar që nga mandati i parë presidencial i Trumpit, përfshirë edhe një komplot të dyshuar për vrasjen e tij në vitin 2024.
Çfarë është “bomba e pistë”?
Një nga shqetësimet kryesore të autoriteteve amerikane lidhet me mundësinë e përdorimit të armëve jokonvencionale.
E ashtuquajtura “bombë e pistë” është një pajisje që kombinon eksplozivin konvencional me materiale radioaktive, të cilat shpërndahen gjatë shpërthimit.
Sipas burimeve të CNN, inteligjenca amerikane ka përgjuar edhe komunikime iraniane, në të cilat pretendohet se Teherani mund të ketë fshehur paraprakisht materiale për prodhimin e bombave në territorin amerikan.
Zyrtarët kanë mendime të ndryshme për besueshmërinë e këtij informacioni. Megjithatë, ata nuk përjashtojnë mundësinë që materiale radioaktive ose agjentë kimikë të jenë vendosur paraprakisht në SHBA.
Një nga skenarët që shqyrtohet nga autoritetet është edhe përfshirja e personave që tashmë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, pa qenë e nevojshme që operativë iranianë të hyjnë drejtpërdrejt në vend.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar se Irani ka vendosur të realizojë ndonjë sulm të tillë.














