“Lotaria Shtetërore”: Dëshmitë që po vënë në pikëpyetje akuzat ndaj Artan Grubit
Ekspertja e Prokurorisë konfirmoi pëlqimin e Ministrisë së Financave dhe hapat institucionalë në procedurën për furnizimin me aparatet VLT. Më herët, një dëshmitar i Prokurorisë kishte deklaruar se projektet synonin rritjen e fitimit të Lotarisë, ndërsa nuk kishte njohuri për ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes Grubit dhe Bajramit.
Në Gjykatën Penale në Shkup, sot vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, dhe gjashtë persona të tjerë. Në qendër të seancës ishte ekspertja ekonomike e Prokurorisë, Anita Popovska, e cila u mor në pyetje të kryqëzuara nga avokatët e mbrojtjes.
Mbrojtja u përqendrua në ekspertizën e përgatitur nga Prokuroria Publike në qershor të këtij viti, duke kërkuar sqarime për rrjedhën e procedurës, kompetencat e institucioneve dhe dokumentacionin që kishte paraprirë furnizimin me 800 aparatet VLT.
Sipas të dhënave të paraqitura në seancë, procedura kishte nisur në dhjetor të vitit 2022, ndërsa Lotaria Shtetërore kishte pasur plan financiar dhe plan për furnizime publike, ku përfshihej edhe plani për investime. Në shkurt të vitit 2023, Qeveria kishte miratuar planin, ndërsa në fund të majit Ministria e Financave kishte dhënë pëlqim për informacionin e Lotarisë.
Në qershor, informacioni ishte miratuar nga Qeveria, por pa vendim të veçantë, pasi ajo në këtë rast kishte vepruar në cilësinë e kuvendit të aksionarëve. Sipas ekspertizës, në gusht të vitit 2023, procedurën e kishte nisur Bordi Mbikëqyrës, ndërsa më pas ishin siguruar 800 aparatet e prokuruara.
Një nga pikat e rëndësishme të ballafaqimit ishte edhe roli i Ministrisë së Financave. Ekspertja Popovska konfirmoi se ministria kishte dhënë pëlqim për informacionin dhe se në mendimin e saj kishte theksuar se nuk kishte vërejtje, brenda kompetencave të saj. Ajo sqaroi gjithashtu se kontrolli administrativ i Byrosë për Furnizime Publike kishte të bënte me respektimin e Ligjit për Furnizime Publike, ndërsa nuk kishte njohuri se cilat mjete të tjera ligjore mund t’i kishte në dispozicion Byroja.
Mbrojtja e Bajramit dhe Grubit vuri në pah edhe ndryshimet ligjore që, sipas deklaratës së sotme të zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikolloski, do të zbatohen nga 1 janari 2027. Sipas tij, nga kjo datë shteti, përmes Lotarisë Shtetërore, do të jetë organizatori i vetëm i lojërave online të fatit dhe i lojërave përmes terminaleve VLT. Mbrojtja e përdori këtë zhvillim për të argumentuar se synimi për zgjerimin e rolit të Lotarisë Shtetërore nuk ishte në kundërshtim me drejtimin e politikës së ardhshme shtetërore. Megjithatë, ndryshimet e ardhshme ligjore nuk e zgjidhin vetvetiu çështjen e ligjshmërisë së veprimeve të viteve 2023 dhe 2024, për të cilat zhvillohet procesi.
Dëshmitë e mëparshme që mbrojtja i konsideron në favor të Grubit
Në seancën e 2 tetorit, dëshmitari i Prokurorisë, Vlado Petkovski, drejtor i shitjeve në Lotarinë Shtetërore, deklaroi se Përparim Bajrami kishte qenë proaktiv në realizimin e projekteve të reja, me qëllim rritjen e portofolit dhe fitimit të kompanisë.
Petkovski shpjegoi se ideja e projekteve, përfshirë furnizimin me terminale VLT, ishte që fitimi të mbetej në Lotarinë Shtetërore dhe të mos ndahej me partnerin “Casinos Austria”. Ai përmendi edhe hulumtime të tregut, studime fizibiliteti dhe mendime të siguruara nga institucione kompetente, përfshirë Ministrinë e Financave dhe Qeverinë.
Në pjesën që lidhej drejtpërdrejt me Artan Grubin, dëshmitari deklaroi se nuk kishte pasur ndonjë situatë të drejtpërdrejtë që do t’i mundësonte të thoshte se Grubi dhe Bajrami ishin miq. Ai gjithashtu tha se nuk kishte qenë i pranishëm në ndonjë takim mes tyre. Këto deklarime janë të rëndësishme për mbrojtjen, e cila konteston pretendimet për lidhjen dhe ndikimin e Grubit në vendimmarrjen e Lotarisë.
Një tjetër dëshmi, më 30 tetor, erdhi nga Andrej Krstevski, ish-anëtar i Bordit Drejtues dhe Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë. Ai deklaroi se Bajrami e kishte informuar për synimin e blerjes së aparateve VLT, por se anëtarëve të Bordit Drejtues nuk u ishin dorëzuar materiale konkrete dhe nuk ishte kërkuar mendimi i tyre për furnizimin. Krstevski tha gjithashtu se aparatet e blera kishin përfunduar në magazinën e Lotarisë dhe nuk ishin vënë në përdorim. Mbrojtja, nga ana tjetër, theksoi se për këtë procedurë ekzistonin vendim i Këshillit Mbikëqyrës dhe konkluzion i Qeverisë.
Edhe dëshmia e një dëshmitari tjetër shkaktoi reagim nga Prokuroria. Prokurori Daniel Kocev konfirmoi se një dëshmitar kishte ndryshuar deklaratën e dhënë gjatë hetimit, por tha se deri në atë moment nuk kishte prova konkrete se ai ishte vënë nën ndikim. Prokuroria njoftoi se po i shqyrtonte arsyet e ndryshimit të dëshmisë.
Prokuroria vazhdon të pretendojë dëm prej 9,7 milionë eurosh
Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet zyrtare gjatë viteve 2023 dhe 2024 dhe se Lotarisë Shtetërore i kanë shkaktuar dëm prej 596.125.511 denarësh, rreth 9,7 milionë euro.
Ekspertja Popovska ka konfirmuar se kjo shumë është paguar për furnizimin me aparatet VLT. Në ekspertizën e saj, megjithatë, për operatorin e tretë ekonomik të përzgjedhur nuk janë konstatuar kontrata të veçanta, dorëzim pajisjesh, fatura apo pagesa.
Rasti fillimisht ishte hetuar si “përvetësim në shërbim”, ndërsa me propozim-akuzën është rikualifikuar në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.
Seancat e deritanishme kanë nxjerrë në pah mospajtime mes pretendimeve të Prokurorisë dhe interpretimeve të mbrojtjes për kompetencat institucionale, procedurën e furnizimit dhe qëllimin e projektit. Dëshmitë e administruara deri tani nuk përbëjnë vendim gjyqësor, ndërsa vlerësimi përfundimtar i provave i takon gjykatës.














