Instagram sjell një risi të shumëpritur: Tani mund t’i editoni storiet edhe pas publikimit
Instagram ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të modifikojnë storiet edhe pasi t’i kenë publikuar, pa pasur nevojë t’i fshijnë dhe t’i publikojnë përsëri.
Risia është konfirmuar nga Adam Mosseri, drejtuesi i Instagramit, ndërsa për të fillimisht raportoi mediumi The Verge, transmeton 9to5Mac.
Përdoruesit tashmë mund të shtojnë ngjitëse dhe vizatime në storiet e publikuara, të korrigjojnë gabimet drejtshkrimore, të ndryshojnë tekstin dhe të zëvendësojnë muzikën.
Deri më tani, mënyra e vetme për të korrigjuar një gabim ishte fshirja dhe ripublikimi i storiet, duke humbur edhe shikimet e mbledhura deri në atë moment.
Për të përdorur funksionin e ri, duhet të prekni butonin me tri pika në pjesën e poshtme të ekranit dhe më pas të zgjidhni opsionin “Edit story”.
Megjithatë, ekziston një kufizim kohor: ndryshimet mund të bëhen vetëm brenda 15 minutave nga publikimi. Të njëjtin afat Instagram e kishte vendosur në prill edhe për redaktimin e komenteve.
Ende nuk është bërë e ditur nëse funksioni i ri do të jetë menjëherë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.
Kjo është një tjetër risi në serinë e përditësimeve që Instagram ka sjellë gjatë këtij viti. Në mars, platforma mundësoi ndryshimin e renditjes së fotografive dhe videove në publikimet me disa përmbajtje, edhe pas publikimit, ndërsa në qershor prezantoi mundësinë e organizimit manual të postimeve në profil.
Ndërkohë, në fillim të nëntorit, aplikacioni për editimin e videove Edits, i zhvilluar nga Instagram, u bë i disponueshëm edhe për kompjuterët Mac, me mbështetje për disa linja kohore, korrigjim të ngjyrave dhe eksportim të videove në rezolucion 4K.















