Toskovski shpërblehet në Dubai për projektin “Qyteti i Sigurt”, por mbeten pikëpyetjet për efektet në terren
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka marrë çmimin ndërkombëtar “Excellence in Road Safety” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “World Police Summit Awards 2026”, të mbajtur në kuadër të Samitit Botëror të Policisë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, çmimi i është ndarë Maqedonisë së Veriut për projektin “Qyteti i Sigurt”, i cili synon përmirësimin e sigurisë në komunikacion përmes teknologjisë moderne, ndryshimeve ligjore, evidentimit automatik të kundërvajtjeve dhe digjitalizimit të procedurave.
Autoritetet e paraqesin këtë vlerësim si dëshmi të reformave në fushën e sigurisë rrugore. Megjithatë, një çmim ndërkombëtar nuk e zëvendëson vlerësimin e rezultateve konkrete në vend: uljen e aksidenteve, zvogëlimin e viktimave dhe trajtimin e barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Pikërisht këto tregues do të jenë matësi real i suksesit të projektit.
Gjatë samitit, Toshkovski iu drejtua përfaqësuesve të policive dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve për përballjen me sfidat e sigurisë.
Si shembull të këtij bashkëpunimi, ai përmendi hetimin e përbashkët të policisë së Maqedonisë së Veriut dhe FBI-së kundër platformës ilegale online OLVX, e cila, sipas tij, lidhej me tregtinë e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për krim kibernetik. Toshkovski tha se veprimet e ndërmarra në Maqedoni kanë kontribuar në sigurinë digjitale të qytetarëve amerikanë.
“Përmasat e një shteti nuk e kufizojnë rëndësinë e kontributit të tij. Një informacion në kohë, një hetim i suksesshëm ose një kërcënim i parandaluar mund të mbrojë jetë njerëzish shumë përtej kufijve të tij”, ishte një nga mesazhet e ministrit.
Çmimi në Dubai i jep Ministrisë së Brendshme një vlerësim ndërkombëtar për projektin “Qyteti i Sigurt”, por sfida kryesore mbetet brenda vendit: që ky projekt të dëshmojë përmes rezultateve se është më shumë se një sistem kamerash dhe gjobash, duke sjellë realisht më shumë siguri në rrugë dhe mbrojtje të jetës së qytetarëve.
Flaka















